Selia e Vetëvendosjes, Foto: BIRN

VV e Thirr Haradinajn në Interpelancë Për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për interpelancë ndaj Kryeministrit Ramush Haradinaj lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Kosovës.

Me anë të një njoftimi, LVV ka thënë se në shtatorin e vitit 2017, Bashkimi Europian, ka angazhuar tre ekspertë, Maurizio Varanese, Theo Byl dhe Camelia Bogdan, për të vlerësuar kapacitetin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Raporti është dorëzuar më pas tek udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë, duke përfshirë edhe Ministrinë e Integrimeve Europiane.

“Nga vlerësimi që është bërë përmes analizës së rasteve që janë trajtuar gjatë fazës së hetimit, përndjekjes dhe gjykimit, deri në aktvendimin e plotfuqishëm dhe pas disa takimeve të zhvilluara me krerët e institucioneve të sistemit të drejtësisë, ekspertët kanë konstatuar se sistemi i drejtësisë ka dështuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Sipas tyre, korrupsioni i nivelit të lartë ‘ku përfshihen dhe zyrtarë të lartë në institucionet e Kosovës, përfshirë qeverinë, ndërmarrjet publike dhe agjencitë e institucionet e pavarura ka mbërritur nivele alarmante dhe përbën rast shembullor të kapjes së shtetit’.

Në fund të njoftimit LVV thotë se prej nga Kryesia e Kuvendit që të caktoj mbajtjen e kësaj interpelancë pa vonesa.