Aleksandar Vuçiq - Foto: Beta
Vuçiq: Nuk Ndryshon Qëndrimi i Serbisë ndaj Haradinajt
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në një dalje të sotme para gazetarëve bëri të ditur se qëndrimi i Serbisë ndaj Ramush Haradinajt nuk do të ndryshojë edhe nëse Lista Serbe hyn në qeveri me të.
“Qëndrimi dhe raporti i Serbisë ndaj Haradinajt nuk do të ndryshojë. Ai ka një aktakuzë shumë të qartë, të padyshimtë dhe të fuqishme”, tha Vuçiq.
Haradinaj u ndalua disa muaj në Francë pas një fletë-arresti të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia, por u lirua në fund.
Megjithatë Vuçiq deklaroi se nuk do t’i përzihet Listës Serbe nëse vendosë të jetë pjesë e Qeverisë Haradinaj.
“Vendimi është i tyre, çfarëdo vendimi që të marrin serbët e Kosovës do të pajtohem me ta, do ta përkrah, sepse këta njeëz jetojnë atje poshtë, ata e ruajnë ekzistencën e popullit serb në Kosovë. Nuk do t’u përzihem në vendimin e tyre”, tha Vuçiq.
Vuçiq deklaroi më tutje se Lëvizja Vetëvendosje ka program edhe më ekstrem se sa ai i Haradinajt. Shtrohet pyetaj deklaroi më tutje Vuçiq se serbët e Kosovës të shkojnë me këtë, apo me atë, apo të mos shkojnë me asnjërin dhe të mos mund të ndikojnë në jetën e tyre.
Ai i porositi kundërshtarët e tij politikë që të mos mbajnë leksione patriotike.
“Mos mbani leksione patriotike njerëzve që jetojnë në Kosovë dhe luftojnë për ekzistencën e tyre”, tha Vuçiq.
Sot kryetari dhe deputetët e Listës Serbe kanë shkuar në Serbi për t’u takuar me Marko Gjuriqin.