VIDEO: Policia dhe Lutfi Haziri japin detaje për aksidentin e rëndë

Autoritetet e Gjilanit kanë dhënë informacione të reja rreth aksidentit të sotëm n] Gjilan.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri tha se janë koordinuar të gjitha institucionet për ta tejkaluar këtë situatën e rëndë si pasojë e aksidentit.

Haziri tha se në aksidentin e sotëm ka humbur jetën një qytetar.

“Fjala është për ndërmarrësin e respektuar dhe të ndershëm Qerim Qoqaj”, tha Lufti Haziri.

Sipas kryetarit 2 të lënduar në gjendje më të rëndë janë dërguar në QKUK, ndërsa 12 të lënduar të tjerë po trajtohen në Spitalin Rajonal të Gjilanit.

Kryetari i Gjilanit ka falënderuar Policinë, Prokurorinë e Gjilanit, qytetarët që ndihmuan në nxjerrjen e të ngujuarve në automjetet e aksidentuara dhe ofrimin e ndihmës për të lënduarit.

Ai falënderoi edhe kryeministrin Haradinaj për ofrimin e mbështetjes pas kësaj “pasdite horrori”.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjilanit, Ismet Hashani, tha se rreth orës 14 :00 kanë marrë një informacion për një aksident të rëndë.

Menjëherë në vendin e ngjarjes, sipas tij, kanë dalë përveç Policisë edhe zjarrfikësit, Emergjenca dhe prokuroria.

Sipas Hashanit, hetimet e para tregojnë se aksidenti ka ndodhur për shkaqe teknike të kamionit, me ç’rast dyshohet se shoferi ka humbur kontrollin mbi automjetin.

Policia thotë se kamioni ka goditur 2 këmbësorë, 10 vetura dhe 1 traktor.

“Në këtë aksident një person ka vdekur, 14 po trajtohen në Emergjencën e Gjilanit dhe 2 në Prishtinë“, tha Ismet Hashani.

Sipas zëdhënësit të Policisë, pas aksidentit janë arrestuar 2 persona, shoferi i kamionit dhe bashkudhëtari i tij.