Aksidenti i kamionit në Gjilan biznesmeni Vigan Tigani akuzohet nga prokuroria

Prokuroria e Gjilanit ka ngritur sot aktakuzë ndaj dy personave lidhur me aksidentin tragjik të 7 marsit 2019, që ndodhi në qendër të Gjilanit.

Sipas njoftimit, Prokuroria po e ngarkon me veprën penale rrezikim të trafikut publik shoferin e kamionit të pandehurin Mustafë Avdiaj, ndërsa zyrtarin përgjegjës të kompanisë “VEV Group”, Vigan Tigani për mbikëqyrje të pandërgjegjshme të trafikut publik’.

Sipas aktakuzës, më 7 mars 2019, rreth orës 14:05 minuta, në rrugën ‘’Idriz Seferi” në Gjilan, i pandehuri  M.A. ka shkaktuar aksident komunikacioni, në atë mënyrë që nga pakujdesia, duke drejtuar automjetin për transport – kamion, pronë e “VEV GROUP” Sh.p.k. – Prishtinë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit  dhe si pasojë  e gjendjes paraprake jo të rregullt të sistemit të frenimit si tërësi, nuk ka arritur të frenojë, ku edhe i është pamundësuar ndërrimi i shpejtësive për shkak të mosfunksionimit të friksionit.

Me këtë rast, i njëjti për të shmangur përplasjen me automjetet që lëviznin para tij, kalon dhe shfrytëzon shiritin e kahut të kundërt, mirëpo pasi rruga ishte teposhtëze, fillon t’i rritet shpejtësia e lëvizjes dhe me të arritur afër hyrjes së Stacionit të Autobusëve, fillimisht e godet një automjet, i cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, ndërsa afër daljes së Stacionit të Autobusëve, e godet mbrapa një automjet tjetër që lëvizte para tij, të cilin e shtyn deri te vendkalimi për këmbësorë në trotuar, afër furrës “Çoçaj” dhe me këtë rast i godet 3 këmbësorë,  të cilët ishin duke ecur nëpër trotuar, në mesin e tyre edhe i ndjeri Q.Ç.

Pastaj ka vazhduar në të njëjtin drejtim duke goditur edhe automjete tjera, me ç’rast në fund godet një traktor, i cili ishte kyqur në rreth-rrotullim, duke përfunduar në trotuar, përballë hotelit ‘’Kristal’’.

Si pasojë e këtij aksidenti, përveç dëmeve të mëdha materiale, lëndime të lehta trupore kanë pësuar 17 persona, lëndime të rënda trupore 4 persona, ndërsa lëndime të natyrës vdekjeprurëse u shkaktohen të ndjerëve Q.Ç. dhe F.I.

Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë, i pandehuri M.A. ka kryer veprën penale – rrezikim i trafikut publik.

Ndërsa, i pandehuri V.T., si person përgjegjës i kompanisë “VEV GROUP” Sh.p.k. – Prishtinë, ka qenë i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit apo mosveprimit të tij, mirëpo nga neglizhenca për mbikëqyrje të detyruar, ka lejuar vozitësin e tij, tani të pandehurin M.A., që të dalë në qarkullim – rrugë publike regjionale, për të kryer punë për kompaninë, me automjet transportues, i cili ka qenë i paregjistruar dhe teknikisht i parregulluar, me ç’rast si pasojë e këtyre lëshimeve, është shkaktuar aksident trafiku.

Me këto veprime, i pandehuri V.T. ka kryer veprën penale – mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik.

Në ditën e aksidentit kishte vdekur Qerim Çoçaj, kurse për shkak të plagëve të marra më 7 mars, më 30 prill ka vdekur edhe i aksidentuari i dytë.

https://kallxo.com/vdes-personi-i-dyte-nga-aksidenti-i-kamionit-ne-gjilan/

www.kallxo.com