VIDEO - Beteja 6 vjeçare gjyqësore për faturat e luksit të Thaçit si kryeministër

Verëra e raki të shtrenjta, ushqime deti të përcjella me fruta e ëmbëlsira, janë vetëm disa nga shpenzimet e faturuara në kohën e Hashim Thaçit si kryeministër.

Fatura të tjera të shpenzimeve të kabinetit qeveritar të asaj kohe, pritet të publikohen nga rrjeti ballkanik i gazetarisë hulumtuese, BIRN.

Por, siç raporton KTV, për ta fituar këtë betejë, BIRN-it iu deshën 6 vjet.

Arbër Kadriu, nga zyra ligjore e këtij rrjeti, thotë se ata kishin bërë kërkesë që nga 2012-ta për qasje në fatura të shpenzimeve për dreka e darka zyrtare.

Betejat gjyqësore kanë vazhduar deri kur kjo çështje kaloi te përmbaruesi.

Sipas tij, e gjithë kjo përpjekje ka pasur qëllim që të krijohet precedenti që do t’u shërbejë gazetarëve e qytetarëve, raporton KTV.

Ai ka treguar se janë në pritje që të marrin edhe faturat e shpenzimeve të kryeministrit aktual, Ramush Haradinaj.

Juristja për të drejtën e medias, Flutura Kusari, këtë e ka quajtur fitore të gazetarisë.

Ajo tha se ky rast duhet të shërbejë si shembull e të inkurajojë gazetarët e publikun për të përfituar nga e drejta për qasje në dokumente zyrtare.

Gazetarja Saranda Ramaj, thotë se e rëndësishme është që gjykata ka dalë në krah të gazetarëve.

Ajo shpreson që ky rast do të shërbejë për të pasur konsistencë në vendime.

Ka treguar përvojën e saj me kërkesat për qasje në dokumente zyrtare, duke vënë theksin te kërkesa që kishte bërë vitin e kaluar për qasje në dokumentacionin e dhëndrit të kryeministrit Haradinaj, i cili do të menaxhojë me fondet e sigurimeve shëndetësore, por që institucioni kishte vendosur t’i klasifikonte si të dhëna personale.

Zëdhënësja e qeverisë, Donjeta Gashi, i ka thënë KTV-së se në 99 për qind të pyetjeve që adresohen në Zyrën e Kryeministrit, marrin përgjigje nga ana e Qeverisë.

Sipas saj, nga 33 kërkesa për qasje, 31 kanë marrë përgjigje të plotë, një kërkesë është në shqyrtim dhe njëra ka marrë përgjigje të pjesshme.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.

Behgjet Pacolli paguan drekë në hotelin e tij, nga kuleta e shtetit

Dreka e Hajredin Kuçit me verëra italiane e spanjolle e shoqëruar me karkaleca deti

Hashim Thaçi pi verë që kushton 120 euro

Dreka e Hashim Thaçit ku piu 10 litra verë italiane me vlerë 500 euro