Ilustrimi: Granit Mavriqi / KALLXO.com

Arsyetimi i Zyrës së Kryeministrit për darkën me ushqime deti e shampanjë italiane

Pas publikimit të KALLXO.com të lajmit për shpenzimet për një darkë të kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kur ishin konsumuar ushqime deti, verëra e shampanjë italiane, Zyra e Kryeministrit ka reaguar duke treguar informata shtesë në lidhje me darkën në fjalë. Vlera e kësaj darke ishte 375 euro.

Sipas ZKM-së, darka e datës 31 maj 2021, ishte darkë pune në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak dhe zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

ZKM-ja ka treguar se kush tjetër ka qenë pjesë e darkës.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, në këtë darkë pune ishin të pranishëm edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja njëherit ministre e Jashtme, Donika Gërvalla, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog.

Oktapod, levrek, salmon e biftek të shoqëruar me verëra vendore e shampanjë italiane kishin qenë pjesë një darke të Zyrës së Kryeministrit Kurti.

Darka e 31 majit ishte ngrënë më vonë se zakonisht. Sipas faturës që është shpenzuar në emër të Zyrës së Kryeministrit, darka ishte paguar në ora 22:51.

Në faturën e siguruar nga KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, kjo darkë ishte ngrënë në një nga restorantet në afërsi të Prishtinës.

Në këtë darkë qeveritare kishte dominuar ushqimi i detit. Një salmon, i cili kishte kushtuar 12 euro, një oktapod 11 euro, dy levrekë 22 euro si dhe tre biftek viçi në vlerë prej 51 eurove. Një shishe me shampanjë italiane e llojit ‘Prosecco’ kishte kushtuar 16 euro. Në këtë darke ishin konsumuar 4 shishe verë të llojit ‘Stone Castle’ të cilat kishin kushtuar 96 euro.

Përveç këtyre ushqimeve, në këtë ‘darkë të vonë’ të kabinetit të Kurtit, ishin konsumuar edhe 8 antipasta speciale në vlerë prej 48 eurove, 8 sallata rukolla në vlerë prej 36 eurove, 8 supa ditore në vlerë prej 24 eurove si dhe disa ushqime të tjera.

KALLXO.com në kuadër të dosjes ‘Sa Han Shefi’, ka publikuar të gjithë shpenzimet e qeverisë Thaçi, Mustafa, Haradinaj, Kurti 1 e Hoti.

KALLXO.com do të vazhdojë publikimin e shpenzimeve për dreka dhe darka zyrtare të qeverisë Kurti 2.

‘Darka e Vonë’ e kabinetit të Kurtit me ushqime deti, verëra e shampanjë italiane