Një xhami | Foto-ilustrim

Vendimi i BIK-ut: Në të gjitha xhamitë të premten lutje për viktimat e Zelandës së Re

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka marrë vendim që të premten në të gjitha xhamitë e Kosovës të bëhen lutje për të vrarët në sulmin terrorist që ndodhi para disa ditësh në Zelandën e Re.

Përmes një njoftimi në faqen e ‘Facebook’, BIK tha se e premtja do t’i kushtohet parimeve të mësimeve islame për ruajtjen e paqes dhe të mirëbesimit.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka marrë vendim që, ditën e premte, 22 mars 2019, në të gjitha xhamitë e Kosovës, hytbeja e xhumasë t’i kushtohet parimeve e mësimeve islame për ruajtjen dhe ndërtimin e paqes, mirëbesimit, respektit ndaj tjetrit dhe bashkëjetesës me etni e besime të tjera” thuhet në njoftim.

Tutje, Bashkësia Islame njoftoi se këtë të premte, në të gjitha xhamitë e Kosovës do të këtë lutje për shpirtrat e atyre që u vranë nga një sulm që u cilësua terrorist.

“Po ashtu, nga hytbeja e xhumasë do bëhet lutje për shpirtrat e viktimave të aktit të terrorit në xhamitë e qytetit Christchurch të Zelandës së Re, ku u ekzekutuan 50 besimtarë myslimanë derisa po falnin namazin e xhumasë”, thuhet në njoftimin e BIK.

https://kallxo.com/sulmuesi-i-xhamise-ne-zelanden-e-re-eshte-frymezuar-nga-nacionalistet-e-ballkanit/

www.kallxo.com