Tre të vdekur nga aksidenti në Dush të Klinës

Ka arritur në tre numri i personave të vdekur nga aksidenti mes veturës dhe trenit  në fshatin Dush të Klinës.

Policia në rajonin e Pejës ka njoftuar se aksidenti ka ndodhur deri sa automjeti i cili ishte duke qarkulluar nga fshati Gjurgjevik në drejtim të fshatit Dush,  në vendkalimin hekurudhor, duke mos respektuar shenjat e trafikut dhe duke mos shikuar sa duhet ka hyrë në vendkalimin  hekurudhor dhe është goditur nga treni i cili ishte duke qarkulluar nga Prishtina në drejtim të Pejës.

Si pasojë e goditjes  nga treni, përveç dëmeve të mëdha materiale kanë pësuar lëndime drejtuesi i automjetit dhe pasagjeret e tij. Në Spitalin rajonal të Pejës pa shenja jete ka arritur  A. Bajraktari 39 vjeçare. ndërsa  H.Bajraktari 79 vjeçar  është ndaluar në repartin kirurgjik në Pejë, kurse te lënduarit tjerë janë dërguar në QKUK në Prishtinë” njofton policia.

Sipas policisë pasagjerja Sh. Muharremi  54 vjeçare ka ndërruar jetë në QKUK Prishtinë, ndërsa  drejtuesi i veturës N. Bajraktari,  pasagjerja shtatë vjeçare A. Bajraktari dhe pasagjeri pesë vjeçar A. Bajraktari janë dërguar për shërim të mëtutjeshëm në QKUK në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se mëngjesin e sotëm janë informuar se e aksidentuara shtatë vjeçare A.Bajraktari ka vdekur në QKUK.

Me urdhër të prokurorit tre trupat e viktimave u janë lejuar familjarëve për ceremoni mortore.

KALLXO.com ka raportuar dje për aksidentin mes veturës dhe trenit në fshatin Dush të Klinës.