Studentët Fishkëllejnë Enver Hasanin e Hajredin Kuçin

Në tetëvjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kosovës derisa në Katedrën Kushtetuese Administrative të Fakultetit Juridik po mbahej seminari për vlerat, sfidat dhe perspektivën e kësaj kushtetute, disa studentë penguan fjalimet e Enver Hasanit dhe ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi.

Kur po fliste Enver Hasani, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, njëra nga studentet protestuese iu drejtua atij me fjalët: “Ti s’ke të drejtë me folë për Kushtetutën, pasi e ke shkelë atë kur ke formuar Gjykatën Speciale”.

Pastaj studentët filluan të fishkëllejnë me bilbila, ndërsa sigurimi ndërhyri për largimin e tyre nga salla ku po zhvillohej seminari.

juridik

Enver Hasani, ndaj të cilit janë ngritur dy aktakuza injoroi fjalët dhe fishkëllimat e këtij grupi të studentëve, duke thënë se fjalët e tij dëgjohen me mikrofon më mirë për shkak të këtyre fishkëllimave.

Edhe pse sigurimi largoi ata që fishkëllenin, fishkëllima tjera pati kur për kushtetutën nisi të flasë ministri i drejtësisë Hajredin Kuçi.

Seminari ndërroi lokacion, ndërsa pritet të vazhdojë në një vend tjetër.

Në Fakultetin Juridik erdhi pastaj edhe policia.