Prizren: 1 muaj paraburgim për 3 të dyshuar për falsifikim të testeve të COVID-19

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se është caktuar masa e paraburgimit prej një muajsh ndaj 3 të dyshuarve për falsifikim të testeve për COVID-19.

“Të pandehurit Xh.K., A.S., dhe Sh.K.,  me datë 24 gusht, në orët e mbrëmjes në Prizren, në Agjencione të ndryshme me dije përdorin dokumentin e falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal,  ashtu që falsifikojnë teste RT – PCR SARS COVID-19 – NEGATIV, ne emër të shumë personave, duke manipuluar me kompjuterë dhe duke vendosur vula në testet e falsifikuara në këmbim të një shumë të parasë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas njoftimit, me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh se procedura është në fazën fillestare të hetimit dhe për zhvillimin e rregullt dhe normal të procedurës penale, është i nevojshëm caktimi i paraburgimit.

“Ekziston rrezik potencial që nëse të pandehurit lihen në liri, atëherë të njëjti do të mund t’i asgjësojnë, fshehin ose ndryshoj provat e tjera të veprës penale dhe të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, përkatësisht procedurës hetimore, si dhe duke marrë për bazë mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, dhe peshën e rëndë të veprës penale, gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në njoftim.