Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli: Presioni nga Serbia në lojën me Malin e Zi, i papranueshëm

Ministri  Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli  ka reaguar në lidhje me ndeshjen e futbollit midis Kosovës dhe Malit të Zi.

Pacolli ka shkruar se situatën e krijuar në këtë ndeshje futbolli po e ndjek ne shqetësim, duke shkruar se presioni ndaj trajnerit dhe ndaj disa lojtarëve nga Beogradi e tregon ftytrën e vërtetë të Serbisë.

“Mali i Zi është mik dhe partner i Kosovës. Serbia nuk do ta pengojë këtë miqësi. Presioni ndaj trajnerit dhe ndaj disa lojtarëve nga Beogradi dhe mediat serbe e tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë për të ndërhyrë në vendet fqinje”, ka shkruar Pacolli.

Pacolli tutje ka shkruar se Kosova dhe Mali i Zi do t’i kapërcejnë këto pengesa nga Beogradi pasi që  të dyja vendet njohin taktikat e Serbisë.

“Sytë i kemi tek djemtë tanë sonte në Malin e Zi dhe ju urojmë atyre fitore”, ka përfunduar Pacolli.

KALLXO.com raportoi më herët se Selektori i Malit të Zi, Lubisha Tumbakoviq, nuk do ta drejtojë ekipin malazez në ndeshjen e sontme ndaj Kosovës.

Sipas raportimit të gazetës malazeze ‘Vijesti’, bashkë me Tumbakoviq, i lindur në Serbi, në ndeshjen e sontme në kuadër të kualifikimeve të kampionatin europian nuk do të paraqiten as futbollistët Mirko Ivaniq dhe Filip Stojkoviq, të cilët luajnë për ekipin serb të ‘Crvena Zvezdës’, raporton ‘Vijesti’.

Kjo gazetë raporton se selektori dhe dy lojtarët në dy ditët e fundit i janë nënshtruar një presioni të madh nga Beogradi, presione të cilat kanë ardhur nga strukturat e tifozëve.

‘Vijesti’ raporton se politika ngadhënjeu mbi futbollin ndërsa pritet që Tumbakoviq të mos jetë më selektor i Malit të Zi.

Ekipin malazez pritet që sonte ta drejtojnë Miodrag Xhuxhoviq dhe Dragoje Lekoviq.

https://kallxo.com/mediat-trajneri-dhe-dy-lojtare-te-malit-te-zi-bojkotojne-ndeshjen-kunder-kosoves/