Pacolli nuk pajtohet me dekretin e Thaçit për ambasadorin në Mal të Zi (Dokument)

Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli e ka kundërshtuar të parin e shtetit, Hashim Thaçi, në lidhje me dekretet që ky i fundit i ka marrë para një kohe për emërimet dhe shkarkimet e ambasadorëve dhe shefave të misioneve diplomatike të Kosovës.

Kundërshtimi i Pacollit për Thaçin lidhet me dekretin e këtij të fundit për ambasadorin e Kosovës në Mal të Zi, Skender Durmishin.

KALLXO.com ka siguruar një e-mail që Behgjet Pacolli ia ka dërguar Presidentit Thaçi ku kërkon që ta shfuqizojë vendimin për tërheqjen e Skender Durmishit nga Mali i Zi.

Këtë kërkesë Pacolli thotë se po e bën me qëllim të ruajtjes së balancit në kuadër të shërbimit të jashtëm të Kosovës.

“Pas analizimit të serishëm të gjendjen aktual në shërbimin e jashtëm, si dhe duke pasur parasysh dekretet për tërheqjen e ambasadorëve/shefave të misioneve diplomatike, të nxjerra me datës 09.03.2018, me qëllim të ruajtjes së balancit në kuadër të shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, kërkoj nga ju që të shfuqizoni dekretin nr.DTD-010-2018, 06.04.2018 për tërheqjen nga misioni diplomatik të Z.Skender Durmishi, dhe rrjedhimisht të mbetet në fuqi dekreti i mëhershëm, sipas të cilit z.Skender Durmishi vazhdon të shërbejë si Ambasador/Shef I Misionit të Republikës së Kosovës në Republikën e Malit të Zi”, thuhet në letrën që Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ia ka dërguar Presidentit Hashim Thaçi.

Letra e Behgjet Pacollit derguar Presidentitn Hashim Thaçi Foto: KALLXO.com

Skender Durmishi është emëruar ambasador në Mal të Zi në korrik të 2016.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me ministrin e Punëve të Jashtme dhe zëvendës kryeministrit e Kosovës, Behgjet Pacolli por ai ka qenë i pa qasshëm në telefon.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me Jetlir Zyberajn që është shef kabineti në ministrinë e Pacollit, por as ky s’ka qenë i qasshëm në telefon.

Ndërsa, as Ardian Arifaj nga Zyra e Presidentit Thaçi nuk është lajmëruar kur KALLXO.com ka provuar ta kontaktojë.