Ilustrim

Në Zubin Potok apo Zveçan, ku u arrestua një person për armëmbajtje pa leje?

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është arrestuar në komunën e Zubin Potokut për armëmbajtje pa leje. Por, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se personi është arrestuar në komunën e Zveçanit.

Sipas njoftimit të Policisë, në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dy armë me tyta të gjata dhe 208 fishekë, dy pushkë ajrore dhe dy kuti diabollash, një pistoletë “Zastava” dhe dy karikatorë me 18 fishekë.

Thuhet se lidhur me rastin janë njoftuar njësitet kompetente rajonale hetimore të Mitrovicës së Veriut, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Në konsultim me prokurorin kompetent është hapur rasti “Armëmbajtje në posedim dhe përdorim të paautorizuar” dhe i dyshuari është ndaluar.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se personi është arrestuar në komunën e Zveçanit.

“Në veri të vendit, në fshatin Zherovnicë të komunës së Zveçanit, sot njësitet kompetente policore kanë konfiskuar dy pushkë gjuetie ilegale, dy pushkë ajrore, gjithashtu një revole ilegale dhe municione të llojeve të ndryshme të armëve. Edhe në veri të vendit tonë, si dhe në çdo cep të Republikës së Kosovës, do të ketë zero tolerancë për çdo aktivitet që dëmton rendin publik dhe sigurinë tonë kombëtare” – ka shkruar Sveçla në Facebook.

Të njëjtat fotografi në Facebook i kanë publikuar edhe Policia e Kosovës edhe ministri Sveçla.