Konjufca Shpjegon Mospraninë e Aktivistëve në Seancë

27 aktivistë të “Vetëvendosjes” janë duke u akuzuar për dëmtim të veturave të EULEX-it në vitin 2009, ndërsa përveç Rron Gjinovcit që është larguar nga kjo lëvizje në vitin 2012, asnjëri prej tyre nuk është paraqitur deri ditën e sotme në seancë.

Sot Policia e Kosovës solli me urdhër të gjykatës në gjykatore, pesë nga aktivistët e akuzuar, mes tyre edhe Glauk Konjufcën.

http://kallxo.com/glauk-konjufca-sillet-ne-gjykate/

Konjufca tha se aktivistët nuk po i përgjigjen ftesës së gjykatës, pasi sipas tij janë duke u persekutuar nga qeveria.

“Në Kosovë përpos që ekziston dallimi, po keqpërdoret një mundësi e tillë, siç po keqpërdoret kjo lënda e EULEX-it. Neve po na e aktualizojnë një lëndë të vitit 2009 pikërisht në këtë moment kur jemi duke e vuajtur një persekutim nga qeveria,” tha Konjufca.

Deputeti i “Vetëvendosjes” ndodhet nën masën e arrestit shtëpiak nën dyshimet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

“Sot në mëngjes erdhën policia, më morën, më sollën këtu, le të themi pa vullnetin tim. Për këtë arsye mendoj se kjo është qëllimshme dhe ka lidhje me aktualitetin dhe me situatën politike që po e përjetojmë ne si Kosovë me krizën politike nëpër të cilën po kalojmë dhe e cila rrënjët e vërteta i ka në pakënaqësinë qytetare e cila u shpreh edhe në protestën e fundit,” tha Konjufca.