Glauk Konjufca: Jemi të parët, me LDK-në do ta bëjmë një qeveri shumë të mirë

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje është shprehur optimist se partia e tij ka dalë më e votuara në zgjedhjet e sotme, ndërsa sinjalizoi që qeverinë e ardhshme do ta bëjë me LDK-në.

“Jemi të bindur që Vetëvendosje është e para. Vendin e dytë e ka marrë LDK me të cilën mendojmë se do ta bëjmë një qeveri shumë të mirë”, tha Konjufca para selisë së partisë nën brohoritjet e simpatizuesve të partisë.

“Me rëndësi është që ka folë sovrani dhe ky zë tash gjendet në kutitë e votimit. Kutitë do t’i numërojmë por mbi të gjitha do t’i mbrojmë. Më e rëndësishmja është të ruhen kutitë e votimit derisa ato të numërohen edhe prej komisionerëve tanë edhe prej KQZ”, tha Konjufca.

“I falënderoj gjithë qytarët për pjesëmarrje solide në zgjedhje me gati 100 mijë më shumë se në vitin 2017. Zgjedhjet kanë pasur një kredibilitet goxha të lartë të demokracisë bazuar në standardet e Kosovës dhe zgjedhjeve paraprake”, tha Konjufca.