Bledar Devolli jep dorëheqje nga Drenica

Eliminimi nga Kupa e Kosovës i ka lën shije të ithët trajnerit të Drenicës, Bledar Devolli.

Drenica u eliminua nga çerekfinalja e Kupës së Kosovës, pas humbjes me rezultat 1-0, nga Dukagjini, skuadër e cila garon në Ligën e Parë.

Drenica ka njoftuar se Bledar Devolli ka paraqitur dorëheqjen nga posti i trajnerit pas takimit me kryetarin e klubit.

“Trajneri Bledar Devolli, pas takimit me presidentin e klubit Ilir Veliqi, ka paraqitur dorëheqjen e tij të parevokueshme, pas eliminimit nga Kupa e Kosovës në çerekfinale nga Dukagjini i Klinës. Presidenti i klubit, pasdite aprovoi dorëheqjen e trajnerit Devolli, dhe sot përfundon angazhimi i trajnerit gjirokastrit në klubin tonë. Ne falënderojmë Bledar Devollin për punën dhe angazhimin në klub gjatë gjithë kësaj kohe. Klubi i uron suksese Devollit në angazhimet e tij të radhës”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e Drenicës, që nuk e ka bërë të ditur emrin e trajnerit të ri.

Pas 25 xhirove Drenica pozicionohet në vendin e nëntë me 26 pikë, vend i cili e dërgon në Ligën e Parë.