Ilustrim

‘Transformimit Farmaceutik’ në QKUK nuk i dihet çmimi

Qendra Klinike Universitare e Kosovës nuk ka pasur asnjëherë sistem të mirë të menaxhimit të barnave, jo rrallë herë barnat nga QKUK kanë përfunduar nëpër barnatore private duke ju shitur pacientëve.

Prandaj sipas Ministrit Uran Ismaili “Transformimi Farmaceutik” është nisur në mënyrë që 14 barnatore nëpër klinika dhe rreth 90 barnatore nëpër reparte të punojnë në drejtim të sigurisë dhe menaxhimit të mirë të barnave për pacientët.

“Çdo barnatore do të jetë e monitoruar me sistem elektronik, kamera, barkode dhe dyer me qasje të kufizuar. Çdo ilaç i blerë do të shkojë deri te pacienti”, tha Ismaili.

Nga ana tjetër, KALLXO.com mëson se që nga muaji qershor i vitit të kaluar në QKUK është punësuar një menaxhere për krijimin e të ashtuquajturës “Transformimi Farmaceutik” por deri më tash nuk ka rezultate konkrete të punës.

“Tani jemi në proces të krijimit, renovimit dhe relokimit 14 barnatore klinike, në klinika të ndryshme të QKUK-së. Është bërë edhe identifikimi i hapësirave për barnatoret e reparteve dhe në disa ka filluar edhe procesi i renovimit, relokimit dhe krijimit të hapësirave të reja. Gjatë kësaj periudhe në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë është bërë edhe krijimi i softuerit të Sistemit ë Menaxhimit të Stokut Farmaceutik i cili ne fazën e parë është shtrire në barnatoren qendrore dhe 14 barnatore të klinikave, disa nga ato ne pritje te finalizimit të renovimeve dhe pajisjes me inventarë dhe pajisje të teknologjisë informative”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Për “Transformimin Farmaceutik” Ministria e Shëndetësisë krahas Sistemit të Informimit Shëndetësor ka krijuar edhe një modul të ri i quajtur Sistemi i Menaxhimit të Stokut Farmaceutik, se sa kanë kushtuar këto QKUK nuk ka dhënë përgjigje konkrete ndërsa Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur në pyetjet tona.

“Në lidhje me funksionalizimin e SMSF-së, MSh nuk ka investuar në këtë projekt si projekt të ri. MSh ka një kontratë me një OE për mirëmbajte të gjitha sistemeve Legacy Sistemet dhe në kuadër të kësaj kontrate në kemi ridizajnuar te gjithë projektin dhe e kemi funksionalizuar si të tillë”, thotë në përgjigjet e QKUK-së.

QKUK ka shpallë konkurs për pozitën e drejtorit të Barnatores Qendrore edhe pse dihet se atje me vite është kryer kjo punë nga Koordinatorja e shërbimit farmaceutik.

“Në kuadër të riorganizimit të përgjithshëm të SHSKUK-së dhe QKUK-së, Bordi Drejtues ka miratuar plotësimin e organogramit të këtyre institucioneve. Në kuadër të strukturës përbërëse të QKUK-së, është paraparë edhe  pozita e drejtorit të barnatores së QKUK-së”, thotë QKUK.

Sipas tyre pozita e koordinatorit të Shërbimit Farmaceutik do të vazhdojë të ekzistojë.

QKUK thotë se në të ardhmen do të rekrutohen edhe farmacistë shtesë si pjesë e planit të futjes nën menaxhim të të gjitha hyrje daljeve te barnave dhe materialeve shpenzuese deri te pacienti ne te gjitha njësitë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.