TikTok prezanton postimet me tekst

Aplikacioni i transmetimit të videove TikTok tani ofron mundësinë e postimeve vetëm me përmbajtje tekstuale, duke u bërë kështu një tjetër gjigant teknologjik në serinë që iu përgjigj platformës X, pra ish-Twitter-it.

TikTok thotë se funksioni i ri u jep përdoruesve një mënyrë tjetër për ta shprehur veten. Në fillim të këtij muaji, TikTok lansoi një shërbim të ri transmetimi për t’i përballuar rivalët si Spotify dhe Apple Music. Ndryshimi vjen pasi Twitter hoqi logon e famshme të shpendëve blu dhe e zëvendësoi atë me logon X.

Përdoruesve të TikTok tani do t’u ofrohen tri opsione në aplikacion, përkatësisht opsioni për të postuar foto, klipe ose tekst. Ata gjithashtu do të jenë në gjendje të modifikojnë postimet duke shtuar zë, vendndodhje ose Duet, të cilat janë video-reagime ndaj postimeve të përdoruesve të tjerë.

Ndryshimet vijnë disa javë pasi TikTok, e cila është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, lansoi një shërbim të ri transmetimi muzikor të quajtur TikTok Music në Indonezi dhe Brazil. Javën e kaluar, versioni beta mbërriti në Singapor, Meksikë dhe Australi. Kompania thotë se do t’i lejojë përdoruesit të “dëgjojnë, ndajnë dhe shkarkojnë muzikën që zbulojnë në TikTok, si dhe t’i ndajnë këngët e tyre të preferuara me komunitetin e tyre TikTok”.

Aplikacioni teston gjithashtu risi të tilla si modaliteti i ri i peizazhit në një grup të caktuar përdoruesish në mbarë botën.

Platformat e njohura të mediave sociale si Facebook, Instagram dhe Threads, si dhe X, tashmë i mbështesin postimet me tekst./Klix.ba

Përgatiti: Nuhi Shala