Rrjeti Social X nën lupën e BE-së, dyshohen për shkelje të Aktit për Shëbime Digjitale

Platforma X, në pronësi të Elon Musk, është pjesë e një grupi kompanish të mëdha të teknologjisë nën lupën e BE-së, për shkak të rregullave të reja të prezantuara nga Akti i Shërbimeve Digjitale.

Të hënën, Komisioni Evropian i ka nisur procedurat zyrtare kundër rrjetit social X, ish-Twitter, me dyshimin se nuk i përmbushi detyrimet e tij sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA), duke shkelur kështu të drejtat e Bashkimit Evropian. Rregullorja e re, e cila hyri në fuqi nëntorin e kaluar, urdhëron që platformat shumë të mëdha të internetit dhe motorët e kërkimit ta rrisin luftën e tyre kundër përmbajtjes së paligjshme dhe rreziqeve për sigurinë publike, si dhe t’i mbrojnë shërbimet e tyre nga teknikat manipuluese.

Procesi do të fokusohet në frenimin e përhapjes së përmbajtjeve të paligjshme në BE, në efektivitetin e masave të marra për ta luftuar manipulimin e informacionit, në veçanti sistemin e “njoftimit në komunitet”, dhe masat që platforma X po ndërmerr për ta rritur transparencën e platformës së saj, thotë Komisioni, duke theksuar se do ta ketë prioritet kryerjen e një hetimi të plotë.

Në tetor, komisioneri evropian Thierry Breton qortoi X, TikTok dhe Meta që nuk bënë mjaftueshëm për ta luftuar dezinformimin pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.

Akti i Shërbimeve Digjitale, i miratuar nga Këshilli Evropian në vjeshtën e vitit 2002, është rregullorja e parë digjitale në botë që i mban bizneset digjitale në mbarë BE-në përgjegjëse për përmbajtjen e publikuar në platformat e tyre./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala