Nokia do t'i pushojë deri në 14,000 vende pune

Nokia do t’i pushojë deri në 14,000 vende pune në një përpjekje të madhe për uljen e kostove për ta trajtuar një mjedis “më të dobët” të tregut, thotë një deklaratë e lëshuar nga kjo kompani të enjten.

Gjigandi finlandez i telekomunikacionit, një ofrues kryesor i pajisjeve 5G që punëson 86,000 njerëz, njoftoi këtë vendim si pjesë e një ristrukturimi më të gjerë që do ta ulë numrin e punonjësve në mes 72,000 dhe 77,000.

Ky vendim do ta ndihmojë kompaninë t’i reduktojë shpenzimet e personelit me 10% në 15% dhe të kursejë të paktën 400 milionë euro vetëm në vitin 2024, parashikon kompania.

Në përgjithësi, kjo kompani thotë se reduktimet pritet t’i shkurtojnë kostot e Nokia-s deri në 1.2 miliardë euro në mënyrë kumulative deri në fund të vitit 2026. Nokia (NOK) ka thënë se do të “veprojë shpejt” për të bërë ndryshime.

Ky njoftim u bë në të njëjtën ditë kur Nokia raportoi rezultate më të këqija se sa pritej. Raporti tha se shitjet në tremujorin e tretë kishin rënë 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pasi “pasiguria makroekonomike dhe normat më të larta të interesit vazhdojnë të bëjnë presion mbi shpenzimet e operatorëve”.

Shitjet e rrjetit celular ranë 19% në tremujorin e tretë krahasuar me një vit më parë, thotë kompania e lartcekur, për shkak të një ngadalësimi të ritmit të vendosjes së 5G në tregje si India.

Këtë javë, rivali suedez Ericsson paralajmëroi gjithashtu se shitjet në gjysmën e dytë të 2023 ka të ngjarë të jenë më të ulëta se zakonisht, duke i bërë jehonë vërejtjeve të Nokia-s për një “mjedis sfidues dhe pasiguri makroekonomike”.

Mirëpo Nokia e ka ruajtur perspektivën e saj për vitin 2023, duke parashikuar midis 23.2 miliardë dhe 24.6 miliardë euro shitje për vitin e plotë./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala