Robot handshake human background, futuristic digital age

Babai i Inteligjencës Artificiale, AI: së shpejti Chatbot-ët e AI mund të jenë më inteligjentë se ne

Njeriu i cili gjerësisht shihet si babai i inteligjencës artificiale (AI) e ka lënë punën e tij, duke paralajmëruar për rreziqet në rritje nga zhvillimet në këtë fushë.

75 vjeçari Geoffrey Hinton e ka njoftuar  dorëheqjen e tij nga Google në një deklaratë për New York Times, duke thënë se tani i vjen keq për punën e tij.

Ai i tha BBC-së se disa nga rreziqet e chatbot-eve të Inteligjencës Artificiale, AI, janë “mjaft të frikshme”.

“Për momentin, ata nuk janë më inteligjentë se ne, me sa mund të them. Por unë mendoj se ata së shpejti mund të jenë”.

Dr Hinton gjithashtu pranoi se mosha e tij kishte luajtur rol në vendimin e tij për t’u larguar nga gjigandi i teknologjisë, duke i thënë BBC-së “tani jam 75 vjeç, kështu që është koha të tërhiqem”.

Hulumtimi pionier i Dr Hinton mbi mësimin e thellë dhe rrjetet nervore i ka hapur rrugën për sistemet aktuale të AI, të tillë si ChatGPT.

Mirëpo psikologu kognitiv dhe shkencëtari kompjuterik britaniko-kanadez i tha BBC-së se chatbot-i së shpejti mund ta tejkalojë nivelin e informacionit që mban truri i njeriut.

“Për momentin, ajo që po shohim janë gjëra të tilla se si GPT-4 eklipson një person në sasinë e njohurive të përgjithshme që ka dhe i eklipson ata në një rrugë të gjatë. Për sa i përket arsyetimit, nuk është aq i mirë, por tashmë veçse e bën një arsyetim i thjeshtë.

“Dhe duke pasur parasysh shkallën e progresit, ne presim që gjërat të përmirësohen shumë shpejt. Kështu që ne duhet të shqetësohemi për këtë”.

Në artikullin e New York Times, Dr Hinton iu referua “aktorëve të këqij” që do të përpiqeen ta përdorin AI për “gjëra të këqija”.

Kur u pyet nga BBC për të elaboruar këtë, ai u përgjigj: “Ky është thjesht një lloj skenari i rastit më të keq, një lloj skenar makthi”.

“Mund të imagjinoni, për shembull, një aktor të keq, të tillë si [Presidenti rus Vladimir] Putin që vendos t’u japë robotëve aftësinë për t’i krijuar nën-qëllimet e tyre”.

Shkencëtari i lartcekur paralajmëron se kjo përfundimisht mund të “krijojë nën-qëllime nën arsyetimin se ‘më duhet të marr më shumë fuqi'”.

Tutje ai shtoi se “kam arritur në përfundimin se lloji i inteligjencës që po zhvillojmë është shumë i ndryshëm nga inteligjenca që kemi”.

“Ne jemi sisteme biologjike dhe këto janë sisteme dixhitale. Dhe ndryshimi i madh është se me sistemet dixhitale, ka shumë kopje të të njëjtit grup peshash, të njëjtin model të botës”.

“Dhe të gjitha këto kopje mund të mësojnë veçmas, por t’i ndajnë njohuritë e tyre menjëherë. Pra, është sikur të kishit 10,000 njerëz dhe sa herë që një person mëson diçka, të gjithë e dinë automatikisht. Dhe kjo është mënyra se si këta chatbot-ë mund të dinë shumë më tepër se çdo person i vetëm”.

Dr Hinton ka thënë nuk donte ta kritikonte Google dhe se gjiganti i teknologjisë ka qenë “shumë i përgjegjshëm”.

“Unë në fakt dua të them disa gjëra të mira për Google. Dhe ato janë më të besueshme nëse nuk punoj për Google”.

Në një deklaratë, shkencëtari kryesor i Google, Jeff Dean ka deklaruar se “ne mbetemi të përkushtuar ndaj një qasjeje të përgjegjshme ndaj AI. Po mësojmë vazhdimisht t’i kuptojmë rreziqet në zhvillim, ndërkohë që gjithashtu inovojmë me guxim”./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala