Aftësi e re nga Google Bard, ndihmon në shkrimin e kodit në mbi 20 gjuhë programimi

Konkurrenti i Google për ChatGPT të OpenAI ka një veçori të re: programim dhe ndihmë për gjuetinë e gabimeve në mbi njëzet gjuhë të ndryshme programimi, raporton PC Mag.

Paige Bailey, menaxhere e projektit të grupit në Google Research shpjegon në një postim në blog se “Bard tani mund të ndihmojë me programimin dhe zhvillimin e softuerit, duke përfshirë gjenerimin e kodit, korrigjimin dhe shpjegimin e kodit”.

Aftësitë programuese të Bard mbulojnë mbi 20 gjuhë programimi, duke përfshirë ato të njohura si C++, Go, Java, JavaScript, Python, Typescript dhe madje edhe funksionet e Google Sheets. Kodi Python gjithashtu mund të eksportohet në Google Colab pa u kopjuar dhe ngjitur, duke e mundësuar ekzekutimin e shpejtë të kodit brenda shfletuesit.

Nëse kodi i prodhuar lëshon mesazhe gabimi, Bard do të ndihmojë në gjetjen e gabimeve nëse i thoni se “ky kod nuk funksionoi, rregullojeni”. Nëse nuk e kuptoni një pjesë të kodit, Bard do ta japë shpjegimin për të. Përdoruesit mund të zgjedhin gjithashtu se cilën pjesë të kodit duan që GPT ta inspektojë. Për shembull, një përdorues mund t’i kërkojë Bardit t’i ‘tregojë më shumë për kodin brenda depove të Google JAX në GitHub’. Nëse kodi është shumë i ngadalshëm për nevojat tuaja, atëherë mund t’i kërkoni Bardit ta përshpejtojë të njëjtin.

Bailey pretendon se gjenerimi i kodit të Bard-it, korrigjimi dhe shpjegueshmëria janë ‘shumë të dobishme nëse dikush vendos të mësojë programimin’. Google, megjithatë, na bën me dije se Bard është ende në fazat e hershme të zhvillimit dhe se mund të ofrojë “informacion të pasaktë ose mashtrues që do t’i paraqesë me besim si rezultate të sakta”.

Google gjithashtu thekson se nëse Bard e kërkon kodin me burim të hapur për një zgjidhje, ai do të deklarojë origjinën e tij./PCMag

Përgatiti: Nuhi Shala