Pamje nga një mbledhje e KGjK-së - Foto: KGjK

Tejkalime Ligjore me Ushtrues Detyre në KGJK

Pozitat e plotësuara me ushtrues detyre në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës sipas Raportit të Auditimit, kishin kaluar periudha të gjata kohore, madje me vite, duke iu shmangur procedurave të rregullta, konkurrencës së hapur dhe transparencës për plotësimin e tyre.

“Nga ekzaminimet tona në SKGJK dhe disa gjykata themelore (Prishtinë, Ferizaj dhe Mitrovicë) kemi vërejtur dhjetë (10) raste të pozitave me U.D. të cilat kanë tejkaluar afatin ligjor, ndër të cilat edhe pozita menaxheriale”, thuhet në Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për raportin financiar të KGJK-së për vitin 2016.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës po ashtu ka të gjetur se ka mospërputhje me Ligjin e Punës të vendimit për kompensim të gjyqtarëve për punë jashtë orarit, kujdestari gjatë fundjavës dhe festave zyrtare.

“Pagesat për punë shtesë (kujdestari) të gjyqtarëve në këtë mënyrë rritë rrezikun për kompensim jo të drejtë për punën e kryer”, thuhet në raport.

Po ashtu si dobësi e KGJK-së në raport është gjetur edhe procedura e rekrutimit e punonjësve të KGJK-së.

“Me konkursin e shpallur me 12.07.2016 për pozitën ‘Roje sigurimi – 15 pozita’, nuk janë respektuar afatet e përcaktuara me Udhëzim Administrativ 14/2011. Procesi është përcjellë me vonesa pothuaj në të gjitha fazat: testimi me shkrim është vonuar për 22 ditë, intervistat janë mbajtur më 14 ditë vonesë, ndërsa nënshkrimi i kontratës me kandidatët e suksesshëm është vonuar për katër (4) muaj apo pas 125 ditëve”, thuhet në raport.

KALLXO.com shkroi për problemet e konkursit të rojave të sigurimit.

http://kallxo.com/gjykata-e-prishtines-ruhet-edhe-nga-te-denuar-per-vjedhje/

E gjetur tjetër për KGJK-në është se ky institucion nuk ka arritur të bëjë regjistrimin e pasurive që i ka në posedim dhe shfrytëzim duke krijuar kështu një regjistër të plotë dhe të saktë të pasurive që posedon ky institucion. Kjo është njëra ndër vërejtjet që ka dhënë auditori i përgjithshëm në raportin vjetor të vitit 2016.

“Ato janë të regjistruara me vlerën blerëse duke mos kalkuluar zhvlerësimin. Si rezultat i kësaj, vlera neto e pasurive nën 1,000€ është e mbivlerësuar”, thuhet në Raportin e Auditimit.

Në këtë raport është sugjeruar që të ndërmerren veprime që e gjithë pasuria të regjistrohet.

Vërejtje tjetër dhënë për KGJK-në është edhe moszbatimi i rekomandimeve nga viti paraprak, të gjetura nga auditori.

“Rekomandimet të cilat nuk janë zbatuar ndërlidhen kryesisht me procesin e pagesave, vonesat në shlyerjen e obligimeve, si dhe menaxhim jo të mirë të pasurive”, thuhet në raportin e auditimit.

Por, KGJK, sipas këtij raporti  nuk ka zbatuar as rekomandimet e Njësisë së Auditimit të Brendshëm.

“Nga gjithsej 50 rekomandimet e dhëna në tetë raportet e auditimit 32 prej tyre janë zbatuar”, thuhet në Raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

Raporti i auditimit ka nxjerr në pah që KGJK ka pasur rënie të të hyrave të këtij institucioni, pra në raport me vitin 2015 ka një rënie prej 35 mijë e 430 eurove.

Po ashtu ky raport ka nxjerr në pah edhe zvogëlimin e buxhetit final të KGJK-së me atë fillestar.

“Buxheti final në raport me buxhetin fillestar është zvogëluar për 231,529€. Ky zvogëlim është rezultat i rishikimit buxhetor dhe vendimeve të qeverisë”, thuhet në raport të auditimit.

E buxheti final i KGJK-së  për mallra dhe shërbime,  njëherë ishte rritur në 521 mijë e 530 euro ,  por më pas në vitin 2016 me vendim të qeverisë, buxheti në këtë kategori ishte shkurtuar në 147 mijë e 190 euro.

Po ashtu KGJK kishte pasur edhe reduktim dhe zvogëlim të buxhetit në shërbime komunale,  në investime kapitale, por edhe në kategorinë mallra dhe shërbime.

Të vetmin buxhet të rritur, Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte në kategorinë subvencione dhe transfere.

Nga 11 rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm, KGJK ka zbatuar dy, ndërsa katër janë në proces dhe pesë nuk janë zbatuar.