Klodiana Lala

Sulmohet me kallashnikov shtëpia e familjes së gazetares shqiptare Klodiana Lala

Shtëpia e familjes së gazetares shqiptare, Klodiana Lala, është sulmuar me kallashnikov mëngjesin e sotëm.

Nga të shtënat nuk ka të lënduar, ndërsa në shtëpi kanë qenë edhe fëmijët e gazetares, bëjnë të ditur mediat në Shqipëri.

Dyshohet se sulmi ka të bëjë me punën si gazetare të Klodiana Lalës. Policia shqiptare ka njoftuar se ka siguruar mbrojtje për gazetaren.

Lidhur me ngjarjen kanë reaguar liderët politik dhe komuniteti i gazetarëve shqiptarë. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë  ka denoncuar sulmin e kryer ndaj shtëpisë së gazetares.

“Vetë gazetarja Klodjana Lala, i tha zyrës së shtypit të UGSH-së se sulmi është një tentativë e pastër për të frikësuar atë dhe ka ndodhur për shkak të detyrës së saj si reportere. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka mësuar se ngjarja është e rëndë dhe serioze, pasi ndaj banesës së koleges sonë është derdhur një breshëri me plumba, duke rrezikuar jetën e pjesëtarëve të familjes së saj prindërore”, thuhet në reagimin e OGSH-së në rrjetin social Facebook.

UGSH i bën thirrje Policisë së Shtetit që urgjent të hetojë ngjarjen dhe të dërgojë autorët para drejtësisë, pasi çdo vonesë do të ndikojë edhe më shumë në acarimin e klimës së lirisë së shprehjes në Shqipëri.

Ndërsa, presidenti IlIr Meta ka dënuar me ashpërsi sulmin me armë të kryer ndaj banesës së prindërve të gazetares investigative, Klodiana Lala.

“Presidenti Meta e inkurajoi të vijojë misionin e saj, pa u trembur dhe shantazhuar nga askush. Po kështu inkurajoj organet e sundimit të ligjit të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese, këtë ngjarje të rëndë, e të venë para ligjit këdo që qëndron pas saj.  Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”, u shpreh Meta.

Sulmin ndaj gazetares e dënoi edhe kryeministri Edi Rama.

“E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala! Ngjarja duhet zbardhur sa më parë dhe strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht. Mbështes e inkurajoj Klodianën në këtë moment kritik dhe pres me padurim ndëshkimin e keqbërësve”, shkroi Rama në Twitter.