Trajneri i Besës tregon se si ia dolën të ndalnin Dritën

Drita është befasuar nga Besa duke barazuar me rezultat 1-1, ndeshje e vlefshme për xhiron e 31-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Trajneri i Besës, Leutrim Krasniqi është shprehur i kënaqur me barazimin e sotëm duke thënë se është duke u ngritur cilësia e lojës te lojtarët e tij, pavarësisht se janë të ri në moshë.

“Sa i përket pikës, më e rëndësishme është sezoni im i parë. Deklaratat e mia, s’kam pasur dyshim që do të shfaqemi mirë. Kemi ditur që nga ndeshja në ndeshje do vijmë në një nivel më të lartë. Ne do të luajmë gjithmonë futboll të mire dhe për toke. Lojtarët i kanë meritat më të mëdha, se sa janë ngritë këta lojtarë, tregon ndeshja e sotshme”, ka deklaruar Leutrim Krasniqi.

Besa pozicionohet në vendin e fundit me 11 pikë dhe në sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Parë. Për këtë gjë i vie keq trajneri të Besës, Leutrim Krasniqit i cili ka thënë se do ta kërkojnë inkuadrimin në Superligë në sezonin e ardhshëm.

“Normal që më vjen keq edhe për klubin edhe për qytetin, por edhe klube më të mëdha kanë rënë nga liga, neve na mbetet të vazhdojmë të punojmë dhe të besojmë se sezonin e ardhshëm të rikthehemi në Superligë”, ka shtuar më tej Krasniqi.