Nuhiu pas barazimit ndaj Besës: Fati ynë nuk është në duart tona
Drita ka barazuar me rezultat 1-1, ndaj Besës së Pejës në kuadër të xhiros së 31-të.
Pas humbjes nga Prishtina në xhiron e kaluar, skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu, pritej të kishte punë të lehtë ndaj Besës së Pejës, por nuk ndodhi të jetë ashtu, pasi pejanët treguan lojë të mirë duke barazuar.
Pas ndeshjes trajneri i gjilanasve, Ardian Nuhiu, ka thënë se bën hap fals ndaj Besës.
“Ishte një goditje humbja ndaj Prishtinës. Ndeshje të tilla dinë të jenë të rrezikshme siç ndodhi sot, bëmë një hap fals, gjithçka që kemi menduar për komplet vitin. Mund të jetë gabim fatal”, ka deklaruar fillimisht Nuhiu.
Pas barazimit ndaj Besës, Drita pozicionohet në vendin e tretë dhe për këtë gjë, Ardian Nuhiu thotë se tasht e tutje fati i Dritës nuk është në duart e tyre për titullin e kampionit.
“Në momentin që mendon që do jetë lehtë, lojtarët kundërshtarë respektuan kampionatin. Ne sot nuk kishin freskinë e duhur dhe nuk ishim të saktë. Nuk arritëm të marrim më të mirën. Duke parë edhe sa ndeshje kanë mbetur nuk diskutohet, por ne nuk do të dorëzohemi deri në fund, do të mundohemi të rikthehemi sa më shpejtë në ndeshjet e mbetura, tashmë fati ynë nuk është në duart tona”, ka thënë Ardian Nuhiu.
Pas këtij barazimi Drita mbetet në vendin e tretë me 65 pikë.