Rashica: Humbja e Anglisë nuk i zbeh gjasat tona

Milot Rashica ka dalë në konferencë për media para ndeshjes ndaj Malit të Zi së bashku me trajnerin Bernard Challandes.

Rashica ka thënë se është i gatshëm për ndeshje 100%.

Sulmuesi i Werder Bremenit, ka thënë se kjo ndeshje nuk është e lehtë.

“Jam gati 100 për qind. Në ndeshjen e fundit në Bundesliga kam luajtur 90 minuta dhe unë jam gati për ndeshjen e nesërme. Të gjithë e dimë se nuk është ndeshje e lehtë. Në takimin e parë kemi pasur shumë shanse por nuk kemi shënuar gjë e cila nuk besoj se do të ndodh këtu“, ka thënë fillimisht Rashica.

Djaloshi nga Vushtrria ka thënë se do të fitojnë edhe ndaj Çekisë në ndeshjen e nëntorit.

“Kemi mbështetjen e tifozëve dhe besojmë se do ta marrim fitoren. Kemi bërë një rrugëtim të mirë dhe ne si lojtarë kemi marrë përvojë të mirë. Edhe pse ka humbur Anglia nuk i zbeh gjasat tona. Ne edhe ashtu e kemi pasë në plan veç me fitu në Çeki”, ka vlerësuar Rashica.