Po diskutohen detajet për Ligën e përbashkët Kosovë - Shqipëri në basketboll

Krijimi i një lige të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duket se është afër të realizohet.

Federatat e basketbollit të Kosovës dhe Shqipërisë  janë në përpilim të një plani për t’i bashkuar dy kampionatet dhe për ta krijuar një ligë të përbashkët.

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se ideja për krijimin e ligës së përbashkët, ka qenë nga të dy federatat, me inciativën e kryetarit të FSHB-së, Avni Ponari.

“Ideja është e përbashkët. Ka disa vite që gjithmonë në takimet tona është diskutuar për krijimin e një kupe të përbashkët dhe më pas edhe një ligë. Vitin e kaluar kanë filluar bisedimet intensive ndërmjet krerëve të të dyjave federatave, me inciativën e kreut të FSHB-së, Avni Ponari”, tregon Elvira Dushku për KALLXO.com.

Sekretarja e FBK-së, ka treguar se ende janë në fazën e diskutimeve. Fillimisht ideja e FBK-së dhe FSHB-së, ka qenë që ta nisin me kupën mbarëkombëtare, por kjo ide u anulua shkaku i pandemisë së COVID-19.

“Ende jemi në fazën e diskutimeve të disa skenarëve, sepse në këtë vit është dashur të startojë në prill në formë të kupës mbarëkombëtare, por për shkak të virusit COVID-19, nuk është zhvilluar kjo kupë. Andaj tani jemi në bisedime për krijimin e një lige dhe të skenarëve të kësaj lige”, deklaron për mediumin tonë Dushku.

Kreret e dy federatave pritet që në ditët në vazhdim ta informojnë FIBA-n, sa ta kompletojnë konceptin e ligës së detajuar, tregon Dushku.

“Do të ndodh zyrtarisht në ditët në vazhdim, kur të kemi konceptimin e ligës së detajuar. Jemi në fazën e parë, të diskutimeve, skenarëve, opsioneve të kalendarëve”, thotë ajo.

Elvira Dushku ka zbuluar për KALLXO.com, se liga e përbashkët pritet t’i ketë 8, 10 ose 12 ekipe.

“Janë tri opsione, 8, 10 ose 12, ekipe priten të jenë në ligën e përbashkët”, ka zbuluar Elvira Dushku.

Ende nuk ka vendosur bordi i FBK-së, se cilat ekipe të Kosovës do të marrin pjesë në ligën e përbashkët.

“Bordi i FBK-së do të vendos për ekipet e Kosovës. I takon bordit të FBK-së të vendos për ekipet. Nuk është diskutuar ende se cilat ekipe do të marrin pjesë, por është e sigurt se nuk do të marrin pjese pothuajse komplet liga”, ka theksuar ajo.

Elivra Dushku – Sekretare e Përgjithshme e FBK-së

Edhe Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Avni Ponari, për mediat në Shqipëri ka deklaruar se ideja e tyre është që të kenë një kampionat me vajtje – ardhje.

“Kemi shkëmbyer edhe korrespondencën me FIBA-në. Janë disa modele, Lituani, Letoni, disa vende që e kanë krijuar këtë lloj kampionati. Ideja jonë është që me Kosovën të kemi një kampionat të përbashkët, një kampionat i madh me vajtje – ardhje. Janë miratuar në parim gjërat”, kishte deklaruar Avni Ponari për mediat shqiptare.

Superliga e Kosovës në basketboll në këtë sezon në Kosovë është pezulluar për shkak të pandemisë së coronavirusit.