LAJMI I FUNDIT: Prishtina i suspendon Edmond Azemin e Dardan Berishën

Prishtina sot u mposht nga Rahoveci në kryeqytet me rezultat 94-87, ndeshje e vlefshme për xhiron e 10-të në Superligën e Kosovës në basketboll.

Por, me kaq nuk mbaruan problemet për klubin nga kryeqyteti, pasi dy basketbollistët kryesor të këtij ekipi janë kacafytur ndërmjetvete, kapiteni Edmond Azemi dhe zëvendës kapiteni Dardan Berisha.

Pas kësaj kacafytje të këtyre dy lojtarëve, klubi ka ndërmarrë masa rigororoze për lojtarët në fjalë.

Prishtina ka njoftuar se i ka suspenduar të dy lojtarët pas kacafytjeve që patën në ndeshjen ndaj Rahovecit.

Në njoftimin e klubit thuhet se nuk do ta lejojnë askënd që t’ia prish imazhin klubit.

“Njoftim!

Pas gjesteve dhe veprimeve të pahijshme dhe të pa tolerueshme të Kapitenit dhe zv.kapitenit Edmond Azemi dhe Dardan Berisha pas kacafytjeve ndërmjet tyre, klubi ka vendosur që ti suspendojë nga ekipi që të dy.

Imazhin e klubit Prishtina nuk guxon dhe nuk mund ta dëmtojë asnjë individ pavarësisht kontributit të tyre në klub”, thuhet në njoftimin e klubit.