Edmond Azemi/Foto: Atdhe Mulla/Kallxo.com

Edmond Azemi: Kemi pritur rezistencë më të madhe nga Rahoveci

Kapiteni i Prishtinës, Edmond Azemi, sot ishte njëri prej lojtarëve më të dalluar në fitoren e skuadrës së tij ndaj Rahovecit, me rezultat 110-82, ndeshja e parë e fazës finale të play – off-it.

Edo sot i realizoi 14 pikë dhe nuk luajti tërë ndeshjen.

Azemi në një prononcim pas ndeshjes për KALLXO.com  tha se kanë pritur rezistencë më të madhe nga Rahoveci, por nuk ndodhi ashtu.

“Realisht, kemi pritur rezistencë më të madhe nga Rahoveci, por Prishtina edhe njëherë dëshmoi se ka ekipin më të mirë dhe rastësisht nuk është ekipi i vetëm pa humbje deri më tani. Mbrojtja agresive dhe serioziteti i madh gjatë tërë ndeshjes ishin çelësi i fitores tonë në ndeshjen e parë finale”, është shprehur kapiteni i Prishtinës, Edmond Azemi.

Ai po ashtu e ceku se mund ta fitojnë titullin për tri ndeshje rresht, por për të ndeshja e dytë në Rahovec nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Besoj që mund të fitojmë titullin pas tri ndeshjeve, por fillimisht duhet ta fitojmë ndeshjen e dytë në Rahovec, e cila nuk do të jetë aspak e lehtë”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Ndeshja e dytë luhet në Rahovec të dielën.

Kujtojmë se cila skuadër i fiton tri ndeshje shpallet kampion.