Kombëtarja e Kosovës në futboll ‘xhevahir’ i sportit në vitin 2019

Kombëtarja e Kosovës në futboll, në vitin 2019 bëri paraqitje shumë të mira, duke i lënë gjithë tifozët me shpresë për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin Evropian 2020.

Edhe pse një gjë e tillë nuk ndodhi nëpërmjet ndeshjeve kualifikuese, Kosova ka një shans tjetër nëpërmjet play-offit të Ligës së Kombeve, ku Kosova në gjysmëfinale do të ndeshet me Maqedoninë e Veriut, ndeshje kjo e cila do të luhet në stadiumin e qytetit të Shkupit.

Kombëtarja e Kosovës në futboll nisi kualifikimet për Kampionatin Evropian në muajin mars të vitit 2019, ku ndeshjen e parë e luajti ndaj Bulgarisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke mos arritur më shumë se një barazim.

Më pas “Dardanët” zhvilluan edhe shtatë ndeshje tjera kualifikuese duke pësuar humbje vetëm nga Anglia dhe Republika Çeke, humbje këto të cilat e renditën Kosovën në vendin e tretë në grupin përkatës dhe tanimë shpresat për një kualifikim në kampionat evropian janë në play-offin e Ligës së Kombeve, ku Kosova do të ndeshet vitin e ardhshëm me Maqedoninë.

Përpos këtyre ndeshjeve, Kosova zhvilloi edhe dy miqësore gjatë vitit 2019. Luajti baras ndaj Danimarkës në stadiumin “Fadil Vokrri”, si dhe e mposhti Gjibraltarin po në të njëjtin stadium në Prishtinë.

I pari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi u shpreh se Kosova e ka kaluar pritshmërinë sa i përket rezultateve të arritura. Krejt kjo pas një pune të mrekullueshme të djelmoshave të kombëtares.

Edhe analisti i mirënjohur kosovar, Arsim Thaqi deklaroi se ndeshjet e kombëtares së Kosovës kanë qenë pjesë më e mirë e vitit që po lëmë pas në futbollin e Kosovës.

Të njëjtin mendim kishte edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i cila tha për KosovaPress, se Kosova në dy vitet e fundit ka arritur sukses të madh, ani pse kjo nuk është pritur duke parë edhe kundërshtarët të cilët Kosova i ka pasur, sidomos ata në grupin kualifikues për në kampionat evropian.

Ndërsa sa i përket shansit për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin Evropian, i pari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi u shpreh se Kosova ka gjasa të mira të kualifikohet mirëpo do të presin dhe të shohin se çfarë pritet të ndodhë në ndeshjen e gjysmëfinales, të cilën Kosova e zhvillon ndaj Maqedonisë së Veriut.

Kujtojmë që Kosova në fillim të vitit të ardhshëm pritet të ketë disa ndeshje miqësore, ndërsa në muajin mars do ta luajë ndeshjen tejet të rëndësishme, atë ndaj Maqedonisë së Veriut, në kuadër të gjysmëfinales së play-offit të Ligës së Kombeve.

Në rast se Kosova do të arrinte kualifikimin në Kampionatin Evropian, do të ishte suksesi më i madh në histori të sportit kosovar.