Kapiteni i Ballkanit: Nëse pezullohet kampionati, ne do të jemi kampionë me plotë meritë

Aktivitetet sportive në Kosovë janë pezulluar nga Qeveria e Kosovës nga 13 marsi, kjo me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19.

Që nga ajo datë, futbollistët e klubeve kosovare janë duke u stërvitur në kushte shtëpiake me orare të caktuara.

Stërvitjet në mënyrë individuale ua kanë vështirësuar futbollistëve mundësinë që të jenë në formën optimale në rast se rinisin garat.

Federata e Futbollit të Kosovës ka paralajmëruar se dëshiron rinisjen e futbollit rreth fundit të majit, por ende nuk ka asgjë zyrtare.

Kapiteni i Ballkanit, Visar Berisha, në një intervistë për KALLXO.com ka treguar për formën e klubit suharekas dhe nëse janë të gatshëm për vazhdimin e kampionatit.

Berisha thotë se qëndrimi në ngujim është i vështirë për të si sportist, por ai ka qenë i përgatitur për këtë gjë.

“Normal që qëndrimi në karantinë për një sportist i ndarë nga jeta sportive është i vështirë, por si futbollist gjithmonë kam qenë i përgatitur për çdo situatë si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë jetësor”, thotë Berisha.

Kapiteni i suharekasve ka thënë se secili lojtar e ka pasur programin për stërvitje individuale nga trajneri Ismet Munishi.

“Ne si ekip kemi pasur program nga trajneri që stërvitjet t’i zhvillojmë në mënyrë individuale që të jemi aktiv në çdo kohë, pasi jemi në një cikël ku na pret një luftë e madhe për ambiciet tona dhe nuk guxojmë të jemi pasivë”, tregon kapiteni i suharekasve.

Sipas Visar Berishës, stërvitjet individuale nuk janë të mjaftueshme që të ruhet forma fizike 100 për qind, prandaj Ballkanit i duhen stërvitje grupore për dy ose tri javë për të qenë të gatshëm për ndeshje.

“Të gjithë e dinë se futboll luhet në grup. Stërvitja individuale përpos ruajtjes së formës fizike nuk të ndihmon edhe aq që të jesh një ekip stabil për zhvillimin të menjëhershëm të kampionatit. Për një rifillim të suksesshëm duhet që së paku dy deri në tre javë të jenë stërvitje aktive në grup”, vlerëson qendërmbrojtësi kosovar.

33 vjeçari thotë se janë të gatshëm për çfarëdo vendimi që merret nga FFK-ja, me të vetmin qëllim që të shpallen kampion të Superligës.

“Nuk mund të themi se do të ketë një opsion real, pasi që tani jemi jashtë normalitetit të zhvillimit të garës, pasi që jemi në orare të ndryshme me kushte emergjente. Sido që të jetë, FC Ballkani është më i përgatitur se kurrë që në çfarëdo mënyrë të jetë i gatshëm ta përfundojë këtë kampionat aty edhe ku ndodhet tashti e disa muaj”, thotë qendërmbrojtësi i liderit të Superligës.

Visar Berisha është i bindur se Ballkani do ta meritonte të shpallej kampion i Superligës nëse do të pezullohej kampionati.

“Ne mirëpresim edhe ndonjë situatë tjetër në rast të moszhvillimit të kampionatit pasi ne vetëm jemi kampion dhe te ne janë luajtur përafërsisht 75 % të ndeshjeve dhe të shpallemi kampion me plotë meritë”, thotë i bindur Visar Berisha.

Gjatë qëndrimit në ngujim Visar Berisha ka gjetur kohë edhe për të gatuar. Ai tregon se deri më tani po i mungon futbolli, Ballkani dhe tifozëria e klubit.

“Ka qenë shumë kohë e gjatë dhe normalisht kemi pasur kohë ta provojmë veten edhe në gatime të ndryshme si ato tradicionale e moderne në kushte shtëpie. Më së shumti po më mungon futbolli dhe tifozët e flaktë të qytetit tonë “Xhebrailat”, ata janë zemra jonë”, tregon Visar Berisha.

Ballkani pas 22 xhirove të zhvilluara në Superligën e Kosovës është lider me 44 pikë, një më shumë se vendi i dytë – Drita.