Hendboll: Besa Famgas fiton ndaj Prishtinës

Besa Famgas ka shënuar fitore ndaj Prishtinës me rezultat 33-29, në ndeshjen e parë të finales së “Play Off-it” në Superligën e Kosovës në hendboll.

Ndeshja e parë u zhvillua në palestrën “Karagaç” të Pejës.

Loja ishte e hapur deri në sekondat e fundit, sidomos në pjesën e dytë, të dy skuadrat kanë luftuar maksimalisht dhe e kanë bërë këtë ndeshjen më interesante të edicionit. Vendasit kanë qenë vazhdimisht në epërsi por nuk e kanë pasur komoditetin e rezultatit që e kanë pasur gjatë gjithë edicionit.

Të kujtojmë që Besa i ka fituar të gjitha ndeshjet e stinorit të rregullt dhe në gjysmëfinale e kaloi lehtë Vëllaznimin. Prishtina në stinorin e rregullt ishte e dyta kurse në gjysmëfinale të “Play – off-it” e kaloi Trepçën.

Ndeshja nisi me seri 3:0 të Besës. Epërsia e pejanëve shkoi shpejtë në shtatë gola, 11:4 dhe kjo epërsi u mbajt deri në fund të pjesës së parë. Pas 30 minutash lojë, rezultati ishte 17:10.

Megjithatë Prishtina nuk u dorëzua dhe në pjesën e dytë gradualisht u afrua në rezultat. Në minutën e 40-të rezultati ishte 20:17 e pak më vonë 21:19. Më pas luhej për secilin gol dhe loja ishte e fortë. Në minutën e 52-të rezultati u ngushtua në një gol, 28:27 e më pas edhe në 29:28 dhe 30:29. Fare në fund Prishtina humbi disa sulme rresht dhe Besa shënoi edhe tre gola për rezultatin përfundimtar, 33:29.

Nikola  Prce e Yll Muqolli ishin më efikasët te Besa Famgas me nga 8 gola. 6 gola i shënoi Charalampos Mallios, 5 Egzon Gjuka e 4 gola i kishte Victor Alonso.

Te Prishtina me lojë të mirë u dallua Deniz Terziqi. Ai realizoi 9 gola, ndërsa kishte edhe shumë asistime, sidomos për pivotët. Lulzim Shabani realizoi 6 gola, 4 i kishte Petrit Prekazi kurse nga 3 gola i shënuan Rron Ramadani e Vlerson Zherka.

Me numër të konsiderueshëm të pritjeve u dalluan edhe portierët e dy skuadrave, Mursel Mehmeti e Armir  Agushi.

Ndeshja e dytë luhet në Prishtinë, ndërsa skuadra nga kryeqyteti do të kërkojë fitoren për të siguruar edhe ndeshjen e tretë. Besës i duhet një fitore apo një barazim për ta siguruar titullin.