FFK ndërpret bashkëpunimin me trajnerin e U-21 dhe trajnerin e kombëtares së Kosovës në kategorinë e vashave

Komitetit ekzekutiv i FFK-së ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin e U-21 dhe trajnerin e kombëtares së Kosovës në kategorinë e vashave.

Lajmi është bërë i ditur pas mbledhjes së Komitetit ekzekutiv të FFK-së të mbajtur nën drejtimin e presidentit Agim Ademi.

Në këtë mbledhje u diskutuan shumë çështje në futbollin e Kosovës.

“KE analizoi përgatitjet për fillimin e stinorit pranveror e ku u konstatuar se janë organizuar këshillimi dhe testet fizike për gjyqtarë sikur edhe janë mbajtur takimet me vëzhgues dhe Komisioni për infrastrukturë dhe terrene sportive i ka kryer inspektimet e nevojshme. Kështu që, gjithçka është e gatshme për fillimin e garave në stinorit pranveror”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Po ashtu, Komiteti ekzekutiv i FFK-së shqyrtoi mundësitë dhe janë duke u kryer përgatitjet që të fillohet sa më shpejt me implementimin e sistemit VAR edhe në ndeshjet e Ligës e Parë.

KE-ja po ashtu ka disktuar për zgjedhjen e përzgjedhësit të kombëtares A dhe konstatoi se presidenti i FFK-së dhe Komisioni janë në bisedime me disa trajnerë dhe çështja e përzgjedhjes do të dihet shumë shpejt dhe në kohë të duhur.

Ndër vendimet kryesore të kësaj mbledhjeje ishte vendimi për ndërprerjen e kontratës së selektorit të grupmoshave U-21.

“KE mori vendim që t’i ndërpresë kontratën përzgjedhësit Michael Ness dhe shtabit teknik të Kombëtares U21. Duhet theksuar se z. Ness edhe kontrata si drejtor teknik i ka skaduar afati. Në këtë drejtim KE mori vendim që përzgjedhëses së Kombëtares “A” të femrave dhe gjithë Shtabit teknik të mos i vazhdohet kontrata-bashkëpunimi.” thuhet në njoftim.