Çeku palajmëron ndalimin e sportit paralel serb në Kosovë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka palajmëruar ndalimin e aktiviteteve sportive paralele të komunitetit serb që zhvillohen në Kosovë.

Për këtë çështje do të marrë vendim nesër Këshilli kombëtar për sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në sport.

“Këshilli gjatë ditës së nesërme do të dalë me disa rekomandime konkrete të masave të cilat ne duhet t’i marrim për ndalimin e zhvillimit të aktiviteteve sportive paralele në shtetin tonë’’, ka shtuar tutje Çeku.

Ky takim do të mbahet pasi Serbia nuk i lejoi boksierët kosovarë të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, i cili po mbahet në Beograd.

Ministri Çeku, në konferencë për media ka thënë se tash e shumë kohë në Kosovë funksionojnë strukturat paralele sportive të Serbisë.

“Tash e disa kohë në Kosovë funksionojnë strukturat paralele sportive të Serbisë. Ligji i sportit në Kosovë nuk lejon organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve nga federatat paralele. Që disa herë federatat sportive tona ka bërë disa herë thirrje klube sportive të komuniteti serb në Kosovë që të integrohen në strukturat tona organizative dhe të behën pjesë e aktiviteti legjitim sportiv në Kosovë”, ka thënë Çeku.

Çeku ka bërë të ditur se do të kërkojë nga zëvendëkryeministri Bisnik Bislimi që kjo çështje të trajtohet në nivel të dialogut Kosovë-Serbi.

“Mirëpo nëse kjo është sjellja e Serbisë në raport me Kosovës, përderisa kemi një proces negociator që është duke u zhvilluar, ne besojmë që kjo s’mund të tejkalohet kaq lehtë. Ne jemi në komunikim me zëvendëskryeministrin Bislimi që kjo çështje të trajtohet edhe në nivelt të dialogut dhe ne të kërkojmë që pa e marrë Serbinë dënimin e merituar për këtë që e ka shkaktuar, të mos vazhdohet tutje”, është shprehur Çeku.