Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Foto: Zgjim Sefa, KALLXO.com

Ministri i Sportit: Pa u dënuar Serbia të mos vazhdohet tutje me dialogun në Bruksel

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar për moslejimin e ekipit kosovar të boksit në Kampionatin Botëror të Boksit që është duke u zhvilluar në Serbi.

Çeku ka bërë të ditur se do të kërkojë nga zëvendëkryeministri Bisnik Bislimi që kjo çështje të trajtohet në nivel të dialogut Kosovë-Serbi.

“Mirëpo nëse kjo është sjellja e Serbisë në raport me Kosovës, përderisa kemi një proces negociator që është duke u zhvilluar, ne besojmë që kjo s’mund të tejkalohet kaq lehtë. Ne jemi në komunikim me zëvendëskryeministrin Bislimi që kjo çështje të trajtohet edhe në nivelt të dialogut dhe ne të kërkojmë që pa e marrë Serbinë dënimin e merituar për këtë që e ka shkaktuar, të mos vazhdohet tutje”, është shprehur Çeku.

Tutje ministri e ka konsideruar si reagim të rrezikshëm për të ardhmen.

“Shqetësimi ynë më i madh është që nëse kjo do të kalohet pa reagim, pa ndëshkim, pa sanksionim ndaj Serbisë dhe organizatorit, ky do të jetë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Çeku ka shtuar se “BE ka reaguar edhe për çështje shumë të vogla kur ka qenë në pyetje Kosova, por tani kur Serbia po e bën një shkelje kaq flagrante, kaq të hapur para gjithë botës, ata ende nuk kanë reaguar. Ne presim reagim publik dhe veprime pasuese”.

Shqipëria pritet me fishkëllima në garën e boksit në Beograd