Albin Kurti: Shtatorja e Fadil Vokrrit shënon sfidat e sakrificat që sporti kosovar ka kaluar

Në 61 vjetorin e lindjes është përuruar shtatorja e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit.

Vokrri i cili vdiq më 9 qershor të vitit 2018, në përurimin e shtatores së tij nga bronzi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Fadil Vokrri ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e futbollit të Kosovës.

“Qysh nga 9 qershori i viti 2018 kur ai u nda nga jeta është thënë shumë për Fadil Vokrrin. Dua të flas për legjendën e sportit ashtu siç e njoh dhe e mbaj mend unë, një karrierë brilante në dy forma. Fillimisht Fadilin e njohin si futbollist të talentuar e të suksesshëm, i cili për gjatë viteve të 80-ta preku majat e suksesit në sport. Në atë periudhë Fadili ishte krenaria e gjithë Kosovës. Atëherë kur në Kosovë, në çdo fushë tjetër gjërat ishin shumë të vështira, Fadili u shpall futbollisti më i mirë në ish-Jugosllavi. E kam thënë edhe më herët dhe do e them sa herë flitet për Fadilin, kur e merrte topin afër 16 metërshit, i gjithë stadiumi ishte në këmbë. E kur shënonte të gjithë ishin në ajër”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se shtatorja e Vokrrit, shënon sfidat dhe sakrificat që sporti Kosovar i ka kaluar.

“Edhe kjo shtatore këtu është ai momenti kur Fadil Vokrri e merr topin para vijës së 16 metërshit me shikimin te këmbët e lojtarëve kundërshtarë që do i driblojë dhe me shumë gjasa sa herë që ia mësynte e hynte në 16 metërsh bëhej ose gol, ose penalti… Shtatorja e Fadil Vokrrit shënon jo vetëm veprimtarinë e tij por edhe sfidat e sakrificat që sporti kosovar ka kaluar për të qenë sot këtu”, ka shtuar Kurti.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se Fadil Vokrri ishte pronari i tavolinës në shoqërinë e tij.

“Ka pasur shoqëri dhe ka pasur ndikim për shumë gjëra që ka bërë jashtë futbollit për shtetin dhe gjithë ne që jemi sot këtu. Kulmi i tij dhe synimi i tij që ka qenë arritja që Federatën e Futbollit ta qoj në UEFA e në FIFA, ai e arriti me shumë mund, por gjithçka ka shkuar në bazë të emrit të tij dhe fuqisë së tij dhe ka qenë shumë më e lehtë edhe për ne. Kur them që Fadili ka qenë shumë-dimensionalë dhe ka pasur shumë shokë, këtë e tregojnë edhe shumë njerëz të tij të cilët këtu janë me ne”, ka thënë Agim Ademi.

Djali i Fadil Vokrrit, Gramozi ka deklaruar nën emocione se figura e tij duhet të shërbej si inspirim për gjeneratat e reja.

“Përtej kësaj pune shumë të bukur, jam edhe unë pak i emocionuar por prapë le të shërbej kjo për të ardhmen tonë që për gjeneratat e reja të jetë një inspirim se me punë dhe me angazhim e vullnet mund të arrihet gjithçka. Ky stadium, kjo kombëtare është një realitet i padiskutueshëm që u krijua falë këtij mentaliteti”, u shpreh ai.