Nga diskutimi rreth ngacmimeve seksuale në punë.

Shqetëson Niveli i Lartë i Ngacmimeve Seksuale në Punë

Brenda një viti e gjysmë janë regjistruar mbi 50 raste të ngacmimit seksual në punë, është thënë sot në një konferencë rreth kësaj teme, të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Zana Idrizi nga nga Girls Coding Kosova, organizatë që ka krijuar aplikacionin mobil “Ec Shlirë” për t’i mbledhur rastet e raportuaratë ngacmimit seksual tha se ky fenomen po merr përmasa shqetësuese.

“Nga rastet e ngacmimit seksual në punë janë 52 raportime, ku më së shumti, me 25 prej tyre [raportohet se janë ngacmuar] nga punëdhënësit, 15 raste janë nga kolegët ndërsa 12 raste vijnë nga klientët”, tha Idrizi.

Sipas saj, për një vit e gjysmë, në këtë aplikacion janë regjistruar 415 raportime për ngacmim seksual, prej të cilave 279 kanë qenë gra, 78 burra dhe 58 kanë qenë persona që nuk e kanë specifikuar gjininë e tyre.

Berisha shtoi se së shpejti do të vazhdohet me një projekt bashkëpunimi me policinë në mënyrë që të ketë zgjidhje efektive të rasteve të ngacmimit seksual.

Ndërsa Gresa Rrahmani nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës tha se në Kosovë 60% e grave e vajzave dhe 30% e burrave e djemve kanë përjetuar ngacmim seksual gjatë jetës së tyre.

Në këtë diskutim u theksua edhe fenomeni i fajësimit të viktimës. Gresa Rrahmani tha rreth 70% e kosovarëve besojnë se “gratë e meritojnë ngacmimin seksual pasi që vishen në mënyrë provokative”. Ky fakt, sipas saj, është shumë shqetësues pasi që ndodh edhe në nivel institucional.

“Ajo që iu mungon viktimave më së shumti është që personat e tjerë t’i besojnë” shtoi Rrahmani.

Rrahmani foli edhe rreth zinxhirit të raportimit më së  shumti i rekomandoni Institucionin i Avokatit të Popullit, në rrjetet e organizatave të shoqërisë civile siç është rrjeti i grave, por edhe gjykatat civile apo penal në rastet kur është e përshtatshme.

Por ajo shtoi se edhe në institucione të tjera duhet të ketë raportime në mënyrë që të kuptohen përmasat e këtij problemi.