Haki Rugova, LDK, Istog. Foto: Atdhe Mulla

Pas raportimit të Drejtësia në Kosovë Haki Rugova do të gjykohet për konflikt interesi

Gjykata e Pejës e ka refuzuar kërkesën e nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugovës, i cili kishte që të hidhej poshtë akuza ndaj tij.

Njëkohësisht, Gjykata i ka pranuar provat e propozuara nga Prokuroria, të cilat me vendimin e Gjykatës do të administrohen gjatë procesit gjyqësor.

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, akuzohet se personalisht ka marrë pjesë në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”, tender i cili iu ka besuar kompanisë “’MA-CON’ Sh.P.K, në pronësi të Gani Rugovës, vëllait të Haki Rugovës.

Sipas aktakuzës vlera e këtij tenderi ishte 289,119.85 euro.

Haki Rugova në janar të këtij viti ishte deklaruar i pafajshëm për këto akuza,

Aktakuza ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij, kjo pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ kundër Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale: konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Hulumtimin e Drejtësia në Kosovë, në lidhje me ketë rast e gjeni në ketë link.