‘Vrapo pas gruas tënde’ nis turin artistik, shfaqet në tri teatro kosovare

Duke filluar nga dita e sotme, për tri netë me radhë, komedia “Vrapo pas gruas tënde”  e autorit Ray Cooney me regji të Ekrem Sopit shfaqet në tri teatrot kosovare.

Përmes një njoftimi për media, teatri i Gjilanit, i cili edhe ka realizuar komedinë “Vrapo pas gruas tënde”, bën të ditur se kjo shfaqje do te jepet në tri teatro kosovare, duke përfunduar kështu në mënyrë të suksesshme edhe udhëtimin e saj artistik për këtë muaj me pesë repriza të saja.

Sot në mbrëmje, duke filluar nga ora 21:00, “Vrapo pas gruas tënde” do të shfaqet në Teatrin e Gjilanit, nesër, po në të njëjtën orë, kjo shfaqje jepet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ndërsa pasnesër, më 30 maj 2019 ‘Vrapo pas gruas tënde’ shfaqet në Teatrin “Adriana Abdullahu” në Ferizaj, po nga ora 21:00.

Shfaqja flet për një taksist londinez i cili menaxhon në mënyrë perfekte dy martesat sekrete të tij, me dy gra të ndryshme.

Gratë nuk dinë për njëra – tjetrën, derisa një akt heroizmi i këtij “bigamisti” kërcënon të nxjerrë në pah flluskat e së vërtetës.

Në shfaqje Luajnë: Njomëza Kalaveshi, Gani Rrahmani, Tringa A. Hasani Alban Shahiqi, Gëzim Bucolli dhe Naser Zymberi.