Parakalimi i FSK-së - Foto: Presidenca e Kosovës

VIDEO: Presidenti Premton Sërish Transformimin e FSK-së

Pas katër vjetësh Forca e Sigurisë bashkë me Policinë u kthyen në sheshet e Prishtinës për të parakaluar për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Më 2014, atëherë kryeministër e tani president i vendit, Hashim Thaçi, kishte thënë se ishte hera e fundit që FSK parakalonte, duke theksuar se ajo do të shndërrohej në Forca të Armatosura, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani.

Pjesëtarët e FSK-së dhe të Policisë së Kosovës parakaluan nëpër sheshet kryesore të kryeqytetit para qindra qytetarëve.

Para se të niste parakalimi, presidenti Hashim Thaçi premtoi transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur.

Ai tha se kjo do të ndodhë shpejt dhe se ai është i vendosur që shtetin ta bëjë me ushtri.

Megjithatë, Thaçi kësaj here nuk dha ndonjë afat se kur do të ndodhë kjo.

Më herët Kuvendi mbajti edhe seancën solemne në nder të 10 vjetorit të shtetësisë, ndërsa më vonë u bë edhe pritja shtetërore nga presidenti.