Veteranët-Takim me Qeveritarët

Në këtë takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi. Pas takimit Kryeministri Mustafa falënderoi përfaqësuesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së për gatishmërinë që problemet të zgjidhen me dialog.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës shfrytëzoj rastin t’i falënderoj për një bashkëpunim shumë të mirë që kemi pasë, qoftë përmes ministrive ose në mënyrë të drejtpërdrejtë, edhe për mirëkuptimin edhe për angazhimin e tyre që të gjitha problemet do të zgjidhen përmes bisedave, përmes argumenteve dhe përmes mënyrave të bashkëpunimit,” tha Mustafa.

Ndërkaq, sekretari i OVL-së së UÇK-së Smajl Elezi këtë takim e vlerësoi konstruktiv.

“Takimi ka qenë shumë konstruktiv, mendoj që kemi gjetë mirëkuptim dhe do e gjejmë një rrugë e cila do të tejkalojë vështirësitë të cilat i kanë veteranët, pretendentë për invalidë lufte,” tha Elezi.

Ai tregoi edhe për çka u diskutua

“Biseduam për mbylljen e kapitullit të verifikimit të veteranëve, çështjen e pagesave të veteranëve që ka ankesa nga terreni i veteranëve të luftës dhe besoj që jemi dakorduar që prej kohës kur veteranët kanë aplikuar Qeveria e Kosovës obligohet që t’i bëjë pagesat e veteranëve të luftës, për aktet nënligjore që të nxirren, udhëzimet administrative nga çdo ministri të cilën ligji e obligon,” tha Elezi.

Pagesat e pensioneve për veteranë janë vonuar, ndërsa pakënaqësinë për këtë e shprehën me protestë para qeverisë më 1 shkurt Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së.

http://kallxo.com/live-veteranet-e-luftes-ne-proteste/

Mustafa përmendi edhe takimin me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga i cili pritet të mbahet me 9 shkurt.

“Ne kemi ftesë nga presidentja për datën 9, të hënën që të takohemi me liderët edhe të pozitës edhe të opozitës të bisedojmë për tejkalimin e kësaj situate. Natyrisht se unë si kryeministër kam bërë ftesë edhe vetë edhe nuk kam asnjë arsye që të mos marrë pjesë, po ashtu ka shprehë interesim edhe lideri i PDK-së Thaçi dhe ne u bëjmë ftesë liderëve të opozitës që të jenë aty,” tha Mustafa.

Për këtë takim foli edhe zëvendësi i Mustafës Thaçi.

“Vlerësoj se është një hap i drejtë, sepse është një proces i konsultave të brendshme institucionale se dialogu është procesi i vetëm përmes të cilit mund të arrihen objektivat e përbashkëta të interesit shtetëror në mes pozitës dhe liderëve opozitarë dhe jo përmes formave dhe metodave tjera që nuk përkojnë me traditën, qytetarët dhe filozofinë politike kosovare,”  tha Thaçi.

Jahjaga ka ftuar të gjithë liderët e partive politike që të ulën për të biseduar për gjendjen aktuale në Kosovë. Përveç LDK-së dhe PDK-së, pjesëmarrjen në këtë takim e ka konfirmuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës,AKK.

http://kallxo.com/ftesa-e-jahjages-mbeshtetje-nderkombetare-refuzim-opozitar/