Richard Lugar - Foto: Facebook / Ramush Haradinaj

Vdes ish-senatori Richard Lugar, miku i madh i Kosovës

Ka vdekur sot në mëngjes ish-senatori amerikan, Richard Lugar.

Ish-senatori republikan ka vdekur në moshën 87-vjeçare.

Drejtuesit shtetërorë të Kosovës kanë marrë me pikëllim lajmin për vdekjen e mikut të madh, përkrahësit të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

“Ai bëri shumë për Kosovën, në ditët më të vështira për popullin tonë. Ishte një prej zërave më të mëdhenj pro intervenimit të NATO-s dhe një mbështetës i pavarësisë sonë. Do ta ruajmë përjetësisht kujtimin për të!”, ka shkruar presidenti Hashim Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova sot ka humbur një nga miqtë e saj të shquar, mbështetësin e madh të pavarësisë.

“Shqiptarët do t’i jenë mirënjohës përjetë përfaqësuesit të shtetit Indiana në Senat, Lugar, i cili së bashku me John McCain përkrahu Presidentin Bill Clinton për intervenim kundër Serbisë, për ta parandaluar gjenocidin në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.