Prezantimi i raporteve të UNHCR-sq | Foto: KALLXO.com

UNHCR: Personat e zhvendosur kanë nevojë për kushte për kthim

Narasihma Rao, shefi i Misioni të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, UNHCR, tha se personave të zhvendosur u duhen kushte të përshtatshme për kthim.

Këtë ai e tha në një konferencë gjatë prezantimit të dy raporteve të UNHCR-së, me të cilat u tregua interesimi për kthim dhe profili i personave të zhvendosur brenda vendit.

Rao po ashtu tregoi se në 18 vjetët e fundit 28.000 persona janë kthyer në Kosovë, por ky sipas tij është përsëri numër i vogël.

Ai theksoi se personat që kanë interesim të kthehen përsëri në Kosovë duan siguri, por edhe zgjidhje të çështjeve të banimit dhe qasje në shëndetësi e arsim.

Ndërsa, në këtë konferencë foli edhe sekretari permanent i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Stojçetoviq, i cili deklaroi se “ministria planifikon të japë një përkrahje të fortë në pikëpamje të sigurimit të akomodimit, shëndetësisë, pensioneve, çështjeve të të drejtave pronësore”.

Stojçetoviq deklaroi se mund të bëhet më shumë, por sipas tij ekziston nevoja për koordinim më të mirë regjional kur planifikohen numrat për procesin e kthimit, por duhet edhe bashkëpunim më i mirë ndërministror.

Sipas raportit “Profilizimi i Personave të Zhvendosur Brenda Vendit në Kosovë” ka faktorë të shumtë si strehimi, prona, punësimi që jo të gjitha komunitetet e zhvendosura i shohin njëjtë.

“Duhet të theksohet se si kjo (strehimi) konsiderohet vendimtare për pesë familjet rome, ashkalinj dhe egjiptiane që konsiderojnë kthimin, ndoshta për shkak të pjesës relativisht të ulët të ekonomive familjare të cilat posedojnë në vendbanimin në vendin e origjinës…”, thuhet ndër të tjera në raport.

Po ashtu raporti tregon se siguria perceptohet ndryshe kur bëhet fjalë për kthimin e komuniteteve joshumicë.

“Së fundi rëndësia që i atribuohet sigurisë në fushën e kthimit nga të gjithë popullatat e synuara të zhvendosura brenda vendit, romë, ashkalinj dhe egjiptianë është e konsiderueshme”, shkruhet në raportin e UNHCR-së.

Ndërsa, në raportin “Personat e Zhvendosur nga Kosova në Rajon – Rivlerësim i Interesimit për Kthim” tregohet se sipas agjencisë së OKB-së “rreth 90.000 persona (janë të) zhvendosur nga konflikti i ndodhur mes viteve 1998-1999 dhe/ose nga trazirat që ndodhën në vitin 2004, kanë ende nevoja të ndërlidhura me zhvendosjen dhe po presin zgjidhje“.

Raporti tregon se ku janë zhvendosur këta persona.

“Prej tyre vlerësohet se 72.000 janë në Serbi, 16.486 në Kosovë, 879 në Mal të Zi dhe 610 në Republikën ish-Jugosllave të Maqedonisë”, shkruhet më tej në këtë raport.