Konjufca: Miqësia dhe partneriteti Kosovë-SHBA mbeten të palëkundura

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim delegacionin e Komisionit të Partneritetit për Demokraci (House Democracy Partnership-HDP) të Kongresit të ShBA-së.

Në një njoftim për media thuhet se në takim ishin të pranishëm Mike Bishop, ish-Kongresmen nga Partia Republikane, Derek Luyten, Drejtor Ekzekutiv i HDP-së, Kimberly Ferguson, Specialiste për Menaxhimin e Sistemit Informativ Legjislativ në Bibliotekën e Kongresit, Sarah Garding, Analiste për Çështje Evropiane në Shërbimin e Kërkimit të Kongresit (CRS) dhe Kristen Sample, Drejtore e Përgjithshme e Qeverisjes në Zyrën Qendrore të NDI në Washington DC.

Në takim u shkëmbyen pikëpamje rreth mënyrave konkrete të bashkëpunimit ndërmjet HDP-së dhe Kuvendit, me fokus mbështetjen për ngritjen e Institutit Parlamentar, si dhe zhvillimin e shërbimeve të bibliotekës dhe arkivit të legjislativit.

Konjufca i shprehu mirëseardhje delegacionit amerikan dhe i falënderoi për vizitën e tyre në Kosovë. Po ashtu i njoftoi në lidhje me efikasitetin e punës së Kuvendit dhe trupave të tij.

“Konjufca ka falënderuar ShBA-në për mbështetjen e pakursyer që vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës, duke theksuar se miqësia e dëshmuar, aleanca strategjike dhe partneriteti shembullor ndërmjet popujve dhe shteteve tona mbeten të palëkundura. Kryetari Konjufca dhe delegacioni i HDP-së u pajtuan për zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, si dhe shkëmbimin e përvojave në dobi të ngritjes së efikasitetit dhe funksionalitetit të përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës.”- thuhet në njoftim.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi javën e kaluar ka thënë se raportet mes Kosovës dhe SHBA-së, “kanë marrë një goditje” nga qasja dhe sjellja e qeverisë aktuale.

“Vërtet është shqetësim i madh fakti që tashmë duket qartë që raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë marrë një goditje nga qasja dhe sjellja e Qeverisë aktuale”- citohet të ketë thënë Krasniqi, në lidhje me zhvillimet në veri të Kosovës, dhe kërkesës së SHBA që qeveria të shtyjë zbatimin e vendimit për targat ilegale.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk ka prishje të marrëdhënieve me ShBA-në dhe se sipas tij, asnjë veprim i Qeverisë nuk i ka befasuar zyrtarët amerikanë apo evropianë.

“A do ta dëgjoni Amerikën, a po prishemi me Amerikën? Nuk ndodhin këto gjëra, nuk kemi ne këso raporte me SHBA siç e përshkruani ju si gjyshi me nipin. Asnjë veprim i joni nuk e ka befasuar asnjë zyrtar amerikan, asnjë zyrtar evropian. Ne jemi në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me ta. SHBA-në i kemi miq dhe partnerë”- ka deklaruar Kurti javën e kaluar.