Tri mënyrat për t’u larguar Thaçi nga posti, sipas Dardan Molliqajt

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se opozita e ka një problem logjik, kundrejt zgjedhjeve dhe mbajtjes së postit të presidentit nga ana e Hashim Thaçit.

“Po thonë se problemi është Hashim Thaçi dhe ne duam të shkojmë në zgjedhje. Pas zgjedhjeve, kush është president, Hashim Thaçi. Pra çka po dojnë këta, veç të jemi ne në qeveri se prapë nuk është problem Hashim Thaçi”, tha ai.

Molliqaj shtoi se Hashim Thaçi vetëm me tri mënyra mund të hiqet prej postit të presidentit.

“Me dorëheqje, me vdekë ose me ba shkelje kushteutuese e pastaj me votu me dy të tretat. Sepse edhe me i pas dy të tretat, pa bo shkelje ne s’mund ta heqim”, tha ai.

Këto deklarata deputeti i bëri pas replikave me LDK-në, ku Avdullah Hoti tha se rezoluta për dialogun nuk ka ndryshuar, por sipas tij ka ndërruar pozicioni i PSD-së.

Partia Socialdemorkate ka deklaruar se e përkrahë mundësitë që rezoluta për dialogun të plotësohet me propozime të tjera.