Tragjedia e Familjes Mramori Trondit Opinionin
Dy fëmijë, vëlla e motër, Florent dhe Florenta Mramori, janë mbytur sot në një gropë me ujë në lagjen “Kolovica” të kryeqytetit.
Ngjarja tragjike ka tronditur mbarë opinionin.
Banorët e lagjes thonë se kjo nuk është hera e parë që dikujt i rrezikohet jeta në këtë vend.
Sylejman Krasniqi, fqinji i parë i fëmijëve të mbytur, tregon si ka ndodhur ngjarja.
“Kam qenë në oborr, në terrasë, kam ndëgju një zë të vajzës së vogël të fqinjit, e cila bërtiste: u mbytën, u mbytën! Kam vrapuar, kam kërcy. Komshia tjetër e ka pasë më afër. Ai ka hequr pantallonat dhe ka hyrë në pus. Ka kërkuar 15 ose 20 minuta nëpër ujë dhe nuk ka mundur t’i gjejë”, ka rrëfyer Krasniqi.
Më tej ai rrëfeu se e kanë thirrur Policinë.
“Kemi thirrur Policinë, deri kanë ardhur ata pak me vonesë. Kur kanë ardhur, një polic vetëm e ka hequr armën dhe me uniformë është zhytur në ujë dhe i ka kërkuar por nuk ka mundur t’i gjej”, shtoi tutje Krasniqi.
Sylejman Krasniqi tha se një kompani e ka hapur gropën dhe me dheun që është marrë aty ka shtruar rrugën e cila përdoret nga banorët.
“Ajo ka filluar këtë rrugë dhe e ka shtruar, edhe ka marrë edhe dhe këtu, jo vetëm për këtë rrugë por edhe për të tjera rrugë. Materialin për rrugë e ka marrë këtu qe dy vite”, theksoi ai.
Një banor tjetër, Avdyl Hyseni tregon se si e mori vesh tragjedinë e sotme në lagjen e tij.
“Kemi parë policinë kur kanë ardhur… Pak parase të vinte Policia kanë qenë rreth 20 fëmijë të mbledhur këtu”, tha Hyseni.
Ai shtoi se Komuna e Prishtinës ka qenë e njoftuar për këtë gropë por nuk është ndërmarrë asgjë.
“Ky rast është para 4 javësh e edhe para 1 viti kur e kam thirrur Komunën se është hapur një minierë dhe është rrezik me u mbytë fëmijët. Më kanë thënë që nuk është minierë, më kanë thënë që nuk është punë e jotja”, tha ai.
Sipas këtij banori, gropa ku u mbytën motër e vëlla është e thellë rreth 4 metra dhe uji buron nga toka.
“Uji vjen nga toka. Gropa është e thellë 4 metra. Ne si qytetarë e kemi ditë që është rrezik, se i ke pasur mbi 20 fëmijë vetëm sot”, rrëfen Hyseni.
Në vendin e tragjedisë ka dalë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai i ka shprehur ngushëllime familjes dhe tha se duhet pritur që hetuesia ta kryejë punën e saj.
“Rast i rëndë. Së pari ngushëllime për familjen. Këtu po e shihni që ka ndodhur një tragjedi. Vite të tëra është duke u përdorur ky vend. Hetuesia është duke e vlerësuar a ka pasur leje, si ka ndodhur që kjo të jetë që një kohë të gjatë. Ende janë duke e vlerësuar se si ka ndodhur ngjarja. Në këto momente është me rëndësi që të jemi pranë familjes”, tha Ahmeti.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, ka thënë për KALLXO.com se rreth orës 14:00 kishin marrë një informacion se një fëmijë kishte rënë në gropë.
“Pasi kanë dalë në vendin e ngjarjes ekipet policore është kuptuar se bëhet fjalë për dy fëmijë“, ka thënë zëdhënësja Ahmeti.