Ilustrim

Tragjedi e Re në Egje, Mbyten 24 Emigrantë

Njëzetekatër emigrantë, prej tyre dhjetë fëmijë, janë mbytur sot në mëngjes në brigjet e ishullit grek Samos, në detin Egje, ndërkohë që njëmbëdhjetë të tjerë konsiderohen të zhdukur, raporton agjencia AFP, e cila citon Rojet Bregdetare greke.

“Janë pesë djem e pesë çika në mesin e fëmijëve të vdekur. Po ashtu, 10 persona janë nxjerrë të gjallë nga uji dhe po hospitalizohen në Samos”, ka thënë për Agence France Presse një përgjegjës i zyrës për shtyp i Rojeve Bregdetare.

Patrullues të Rojeve Bregdetare greke dhe dy anije të Agjencisë Evropiane të Kontrollimit të Kufijve “Frontex”, ende po i kërkojnë njëmbëdhjetë emigrantët e zhdukur.

Sipas dëshmisë të një të mbijetuari, i cili ia ka dalë të notojë deri në brigjet e Kokarit, në Samos, dhe t’i lajmërojë autoritetet, 45 veta gjendeshin në anijen  e drunjtë, e cila është fundosur në brigjet në veri të Samosit, një ishull afër brigjeve perëndimore turke në Turqi, porta hyrëse e qindra mijëra emigrantëve që nga viti i kaluar në Evropë.

Kjo tragjedi e re u shtohet të tjerave që kanë ndodhur ditëve të fundit në detin Egje.

Të mërkurën, shtatë persona, prej tyre dy fëmijë, janë mbytur në brigjet e ishullit Kos dhe të premten e kaluar 45 emigrantë janë mbytur pas fundosjes së tri varkave në të njëjtën zonë, raporton AFP.

Me gjithë kushtet dimërore dhe kufizimeve të bëra nga disa vende evropiane, të cilat i kanë rikthyer kontrollet në kufi, ardhjet e refugjatëve nuk janë ndalur gjatë tërë muajit janar.

Sipas Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, në Evropë përmes Mesdheut që nga fillimi i janari kanë ardhur 46.240 emigrantë. Prej tyre, 44.040 përmes Greqisë dhe 2.200 përmes Italisë.

Shumica dërrmuese e tyre, pra 84%, janë refugjatë, shtetas të vendeve që gjenden në zona të konfliktit. Gjithnjë sipas UNHCR-së, 200 persona janë mbytur ose konsiderohen të zhdukur.