Ilustrim: Pixabay

Tiranë, procedohet penalisht drejtuesi i klubit shkaku i logos së bastores në fanellë

Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik e Financiar në Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policise Tiranë proceduan penalisht shtetasin G.V., 30 vjec, banues ne Krujë, administrator i një ekipi futbolli të Superligës.

Sipas Policisë së Shtetit, më 09.02.2019 në stadiumin “Selman Stermasi”, gjatë zhvillimit të ndeshjes së superligës është konstatuar se në fanellat e lojtarëve të ekipit që ky shtetas është administrator ka pasur logo reklamuese të një shoqërie bastesh sportive, në kundërshtim me ligjin nr.75/2018.

Gjithashtu po kryhen verifikime për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës“ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal edhe për vëzhguesin e Federatës Shqiptare të Fubollit prezent në këtë ndeshje i cili ka lejuar që futbollistët të futen dhe të luajnë ndeshjen duke pasur të reklamuar në fanella këtë logo të kompanisë së basteve.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Tiranë për veprime të mëtejshme.