Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi: Nëse serbët largohen nga institucionet, do t'i zëvendësojmë

Presidenti Hashim Thaçi është treguar i ashpër me kërcënimet e serbëve se nesër, më 13 prill, do të largohen nga institucionet e Kosovës në mënyrë të organizuar.

Thaçi tha se në rast të largimit, ata do të zëvendësohen menjëherë me pjesëtarë të të gjitha komuniteteve dhe se ata që largohen nuk çdo të kenë mundësi të kthehen përsëri në pozitat e tyre.

Sipas tij Serbia duhet t’i ndalë menjëherë interferimet armiqësore ndaj institucioneve të Kosovës si dhe ka kërkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare të jetë më e vëmendshme.

“Kosova nuk është më tepër e një etnie apo më pak e një tjetre, por është e të gjithëve dhe ne duhet ta ndërtojmë së bashku”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ky është statusi i plotë i Hashim Thacit

Nesër kalon afati kur autoritetet e Beogradit kanë paralajmëruar se do të nxisin segmente të caktuara të pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë vendim nëse do të largohen apo të qëndrojnë në institucionet e Republikës së Kosovës. Pasi kjo ka të bëjë me segmente të sigurisë dhe ata janë shtetas të Republikës së Kosovës, ritheksoj se Serbia duhet t’i ndalë menjëherë interferimet dhe veprimet armiqësore në punën e institucioneve të Kosovës, si dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë shumë më e vëmendshme për këtë.

Nëse pjesëtarët e cilitdo komunitet largohen nga institucionet, konkretisht nga policia dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë, të gjithë atyre ua rikonfirmoj edhe sot se do të respektohet në plotni kushtetutshmëria dhe ligjshmëria për të gjithë. Është në vullnetin individual të secilit që të vendos nëse do të qëndrojë apo të largohet, por një gjë është e qartë: nuk lejojmë vakum dhe çdokush që largohet më nuk do të kthehet. Vendet e tyre do të plotësohen menjëherë me pjesëtarë tjerë të të gjitha komuniteteve. Kosova nuk është më tepër e një etnie apo më pak e një tjetre, por është e të gjithëve dhe ne duhet ta ndërtojmë së bashku! HTH